Frika nga Elvis Naçi e bën Ramën “mysliman”

Në këto ditë të rënda që po i përjeton Shqipëria për shkak të tërmetit që goditi atje, Edi Rama e ka humbur komplet busullën. Ai po i bindet vetëm një njeriu, hoxhës Elvis Naçi.

Shefi i qeverisë shqiptare publikisht po përpiqet të prezantohet si politikani që po e përballon i vetëm krizën në Shqipëri, pas tërmetit të fuqishëm që mori jetën e mbi 50 personave, që plagosi shumë të tjerë dhe që e bëri pothuajse krejt të pabanueshëm Durrësin dhe rrethinën e tij. Rama gati të gjitha lëvizjet po i bën i përcjellë nga kamera pamjet e së cilës po i transmeton live në Facebook. Ai në mënyrë arrogante ka përndjekur zëvendësin e tij Erjon Braçe, të cilit ia tha troç që të mos i shkojë prapa. Nuk po tregohet i matur as me banorët që kanë lënë shtëpitë duke mos hezituar të lëshohet edhe në argumentime me zë të lartë me ata që po i thonë se kanë frikë të futen në shtëpitë e tyre. Rama me tone qortuese po u thotë që rreziku ka kaluar nga tërmeti. Mediave u ka shpallur luftë duke paralajmëruar “Mos na detyroni të bëjmë atë që s’jua rrok imagjinata!”

Me një fytyrë tjetër po u prezantohet karshi atyre që po arrijnë të gjejnë para për rimëkëmbjen e Durrësit. Ka çuar në qiell Behgjet Pacollin duke iu drejtuar “rrofsh sa malet ti dhe familja, o Behgjet Pacolli”. Pastaj në një intervistë për mediat turke ka lartësuar presidentin e Turqisë, i cili premtoi se do të ndërtojë 500 njësi banimi për qytetarët shqiptarë që u prekën nga fatkeqësia natyrore.

Por, dikujt tjetër Rama ia ka lëshuar udhën.

Duke e parë që shteti që e drejton “nuk e ka edhe një qen të vetëm për kërkim-shpëtim”, siç u tha nga komentuesit në rrjetet sociale, dhe që “vendin e shtetit social e ka zënë Elvis Naçi”, figura e vetme të cilit i është dorëzuar Rama, është pikërisht hoxha që në opinion njihet për predikimet në rrjetet sociale, influencë në komunitetin mysliman, për bamirësi dhe për faktin që kohëve të fundit ka blerë një spital në vlerë prej 300 mijë eurosh.

Me Naçin Rama ka dalë në terren për t’i takuar shqiptarët e trishtuar, por duke e parë suksesin e tij në mbledhjen e fondeve, ai ka vendosur ta mbajë edhe më tej afër vetes. Dje, Elvisin e ka privilegjuar madje edhe më shumë duke e ulur afër vetes, një tryezë ku ishin mbledhur kryeministri – Qeveria, organizatat humanitare, Akademia e Shkencave, Universiteti, sipërmarrja, bankat, inxhinierët, arkitektët & urbanistët pikërisht në sallën ku mban mbledhjet qeveria shqiptare, ose siç është thënë zyrtarisht “në tryezën e Këshillit të Ministrave” me moton “TË BASHKUAR PËR T’U RINGRITUR” ??????? ☀.