Frashër Krasniqi i PSD-së aktivizohet në terren, thotë se po i merr aktivistë edhe VV-së

Anëtari i Partisë Socialdemokrate, Frashër Krasniqi, ka disa ditë që është aktivizuar në terren e që po prezanton aderime të reja në partinë që udhëheq Dardan Molliqaj.

Krasniqi para gjashtë dite ka qëndruar në qytetin e Kaçanikut nga ku edhe ka njoftuar se Blerim Ramadanaj nga Hasi i është bashkuar PSD-së.

“Me Blerim Ramadanaj nga Hasi, që sapo ka nisur biznes të vogël në Kaçanik. I vendosur që të mos e lëshojë Kosovën, por i pakënaqur me gjendjen politike të vendit, Blerimi iu bashkua PSD-së dhe bashkë me të e qindra të tjerë që po na bashkohen, do të ndërtojmë një opozitë të fuqishme në Kosovë”, ka shkruar Krasniqi në njoftim.

Pas Kaçanikut, Krasniqi është lajmëruar nga qyteti i Ferizajt prej ku edhe ka prezantuar si prurje të re në PSD ish-anëtarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Florim Zeqirin.

Krasniqi ka shkruar se Zeqiri po i bashkohet PSD-së meqë është i zhgënjyer nga mënyra e qeverisjes së Kurtit.

“Florim Zeqiri, prodhues vendor nga Ferizaj, ish-anëtar i VV, i zhgënjyer nga politikat e gabuara të Qeverisë Kurti, iu bashkua PSD-së”, ka njoftuar Krasniqi.

Pas Zeqirit, anëtari i PSD ka treguar se në parti janë bashkuar edhe dy të rinj nga qyteti i Pejës.

“Me Fatlume Kelmendin dhe Kremtim Kelmendin. Dy të rinj nga Peja që iu bashkuan sot PSD-së. Të provuar e shumë të pakënaqur me kushtet e punës në sektorin privat, të vetëdijshëm që Qeveria Kurti nuk e ka as prioritet e as shqetësim përmirësimin e këtyre kushteve, ata iu bashkuan PSD-së si subjekti që bashkon rininë për një Kosovë ku ka barazi e mirëqenie”, thuhet në njoftimin e Frashër Krasniqit.

Në po të njëjtën ditë, Krasniqi ka prezantuar si aderim në PSD edhe ish-ushtarin e UÇK-së, Azdren Gashin.

Dy ish-ushtarë të UÇK-së si kalime në PSD, Frashër Krasniqi i ka prezantuar edhe nga qyteti i Prizrenit.

“Ejup Krasniqi dhe Lulzim Sezallari, ish-ushtarë të UÇK-së nga Prizreni, të vendosur kundër qasjes autoritare dhe anti-UÇK të Qeverisë Kurti, iu bashkuan sot PSD-së”, ka njoftuar anëtari i PSD-së.

Derisa të hënën Kransiqi ka njoftuar edhe për një aderim nga diaspora. Bëhet fjalë për Bekim Kukiqin, i cili jeton dhe vepron në Gjermani.

“Sapo pata një takim online shumë të ngrohtë me Bekim Kukiqin, i lindur dhe rritur në Gjermani. Bekimi ka vendosur t’i bashkohet PSD-së dhe të angazhohet në shtrirjen e organizimit tonë në diasporë. Çdo ditë po bëhemi bashkë, me njerëzit që e duan një Kosovë me barazi e mirëqenie. Një Kosovë demokratike që nuk i dorëzohet mendësisë autoritare”, ka njoftuar Krasniqi.

PSD-së i është bashkuar edhe Hysen Bojaxhiu nga Komuna e Dragashit.

Derisa sot Krasniqi është lajmëruar nga qyteti i Gjilanit, prej ku edhe ka prezantuar Bashkim Hamitin si prurje të re në PSD.

“Bashkim Hamiti, pronar i një biznesi të vogël në Gjilan, iu bashkua PSD-së. Qeveria aktuale e VV-së edhe në nivel qendror edhe në atë lokal, është duke e mbytur perspektivën ekonomike e sociale për bizneset e vogla dhe shtresën e mesme e të ulët të shoqërisë tonë.Prandaj po bëhemi bashkë e po organizohemi. Që t’i bëjmë ballë me vendosmëri kësaj qeverie”, thuhet në njoftimin e Frashër Krasniqit./Express