Franca vendos kundër mbylljes së tretë

Franca ka vendosur kundër aplikimit të mbylljes së tretë nacionale të premten.

Autoritetet franceze janë përcaktuar për kontrolle më të rrepta kufitare si masë për të parandaluar përhapjen e COVID-19, e po ashtu veprime të shtuara policor kundër atyre që thyejnë orën policore dhe nxitje që të punohet më tepër nga shtëpia, raporton agjencia Reuters.

Kryeministri i Francës, Jean Castex, ka thënë se kriza shëndetësore mbetet shqetësim i madh, ndërsa numri i të vdekurve në Francë nga COVID-19 e ka kaluar shifrën 75 mijë. Është shifra e shtatë më e madhe në botë.

“Ne e dimë për ndikimin e rëndë të mbylljes. Sonte, duke shikuar të dhënat e ditëve të kaluara, ne konsiderojmë se ende mund t’i japim vetes rast për të evituar mbylljen”, ka thënë Castex në një prononcim televiziv.

Ai ka folur pak pas takimit me presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe kabinetin qeveritar për krizën.

Castex ka thënë se nga dita e diele, do t’u ndalohet hyrja në Francë gjithë qytetarëve që vijnë nga shtetet që nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian, me përjashtim të udhëtimeve esenciale. Gjithë vizitorët që vijnë nga shtetet e Bashkimit Evropian do të duhet të kenë një test negativ PCR.

Kryeministri i Francës ka thënë se gjitha qendrat tregtare që nuk shesin gjëra ushqimore, e që kanë sipërfaqe më të madhe se 20 mijë metra katrorë, do të mbyllen, dhe do të rifutet në fuqi rregulli i punës nga shtëpia.

Franca ka regjistruar të premten 22.858 raste të reja me koronavirus, duke çuar shifrën totale në 3.15 milionë.