Franca – Maroku: Vlerat e kombëtareve, futbollistët më të vlefshëm dhe renditja në FIFA

Franca dhe Maroku do të përballen në gjysmëfinalen e dytë sonte me fillim nga ora 20:00 në stadiumin “Al Bayt”, shkruan Demokracia.com.

Maroku, befasia e këtij Kampionati Botëror synon ta vazhdojë ëndrrën, me Francën e cila synon mbrojtjen e titullit botëror.

Dallimi ndërmjet dy kombëtareve sa i përket vlerës është tejet i madh, bazuar në të dhënat e uebfaqes së specializuar të statistikave “Transfermarkt”.

Reprezentacioni francez i udhëhequr nga Didier Deschamps vlen pak mbi 1 miliard euro. Ndërkaq, vlera e ekipit kombëtar maroken vlen vetëm 241 milionë euro.

Futbollisti më i vlefshëm te francezët është ylli i PSG-së, Kylian Mbappe vlera e të cilit llogaritet të jetë 160 milionë euro.

Lojtari me vlerën më të madhe te Maroku është mbrojtësi, Achraf Hakimi me vlerë 65 milionë euro.

Sa i përket renditjes në ranglistën e FIFA-s, Franca pozicionohet në vendin e katërt. Maroku në këtë ranglist zë vendin e 22-të.

Fituesi i kësaj përballje luan në finalen e madhe të 18 dhjetorit me Argjentinën.