FOTO – Zyrtarët policor në veri ushqehen me shujta të nxehta

Gjatë ditës së djeshme një mori shkrimesh në rrjetet sociale qarkulluan në të cilat u kritikua ushqimi i zyrtarëve policor të cilët e posedonin gjatë kohës sa po qëndrojnë në disa zona të ndryshme në veri të Kosovës për shkak të gjendjes së krijuar nga qytetarët në atë pjesë.

Secilit zyrtar policor në mëngjes u ofrohet një shujtë me ushqime të ftohta, ndërsa në mbrëmje shujtat ushqimore janë kryesisht gjella të nxehta.

Gjithashtu zyrtarët policor posedojnë edhe një kabinë ku me ndërrime ushqehen dhe më pas kthehen në pikën në të cilën janë ngarkuar për të qenë më pas në gatishmëri për çdo zhvillim të ri.

Zyrtarë të shumtë policor po qëndrojnë në pika të ndryshme të veriut të vendit për të mbajtur rend dhe siguri në lidhje me ngjarjen e cila po zhvillohet nga qytetarët e veriut të Kosovës në lidhje me vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme për zëvendësimin e përkohshëm të tabelave të Serbisë dhe vendosjen e atyre të Kosovës në çdo pikë kufitare që lidh dy shtetet.

Deri më tani nuk është raportuar për asnjë incident të rëndë në lidhje me situatën e krijuar në veri të Kosovës e ku pikat më të nxehta po konsiderohen në Jarinjë dhe Bernjak.