Produkti “Munchmallow”, sikur dhe produktet e tjera me origjinë nga Serbia, që nga mesi i qershorit të këtij viti, nuk janë lejuar të futen në Kosovë. Megjithatë në raftet e dyqaneve në vendin tonë ende gjenden produktet serbe të ëmbëlsirave Munchmallow family 210g dhe Munchmallow 105g.
Produkte të tilla të ndaluara, lehtë mund të gjenden në disa prej dyqaneve në Prishtinë.
Pasi Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë njoftoi se ky produkt nuk gjendet në Kosovë dhe i është ndaluar importi që nga data 14 qershor, Ballkani.info ka parë se në disa markete ende shitet ky produkt.
Në njërin prej marketeve të “Viva Fresh”, Ballkani.info ka hasur në këtë produkt.

Ballkani.info ka parë se ky produkt ka afat deri në nëntor.
Ndërsa, zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi, ka thënë sot për EO se produkti në fjalë nuk është lejuar për import nga qershori i këtij viti, bazuar në urdhëresën për ndalim të produkteve me origjinë serbe.
“Nga data 14 qershor të këtij viti është dhënë urdhri për ndalesë të importit të produkteve finale nga Serbia, ku bën pjesë edhe ky produkt dhe nga kjo vetëkuptohet që ky produkt mbi bazën e dyshimit që është ngritur në Kroaci, nuk ekziston në tregun e brendshëm. Nga trupat inspektuese në terren, shumica e pikave shitëse fare nuk e posedojnë si produkt dhe ato që eventualisht kanë ende në stoqet e tyre janë të lotëve të prodhimit të datave të mëhershme, pra nuk janë të përfshira në datat që janë raportuar si të dyshimta në Kroaci. Nga kjo datë, ka rezultuar se nuk ka pasur fare asnjë import të regjistruar nga ky produkt në Kosovë dhe po ashtu në tregun e brendshëm e dimë që janë lote shumë të hershme të prodhimit dhe shumica e pikave shitëse nuk e posedojnë fare këtë produkt”, tha Thaçi.
Ndryshe, edhe Kroacia ka njoftuar se po e tërheq nga shitja një nga ëmbëlsirat më të njohura të Serbisë.
Konzum, zinxhiri më i madh i supermarketeve në Kroaci, ka njoftuar se po tërheq nga raftet e dyqaneve të saj produktet serbe të embëlsirave Munchmallow family 210g dhe Munchmallow 105g. Ata shpjeguan se arsyeja e tërheqjes ishin vetitë organoleptike të ndryshuara të produktit. /Ballkani.info/








