Një fotografi e publikuar së fundmi në rrjete sociale ka rikthyer në vëmendje një nga imazhet më tronditëse të Luftës së Kosovës. Në foto shihet një djalë i mitur, rreth 10–11 vjeç, duke mbajtur në kurriz vëllain e tij më të vogël, i rraskapitur nga lodhja, gjatë largimit nga Kosova drejt Malit të Zi, në përpjekje për t’i shpëtuar dhunës së luftës.
Identiteti i djalit, mosha e saktë, si dhe autori i fotografisë mbeten ende të panjohur. Nuk dihet nëse prindërit e fëmijëve ishin gjallë apo ishin vrarë gjatë masakrave të ushtrisë dhe paramilitarëve serbë. Nuk dihet as nga cili vend vinin. Ajo që dihet me siguri është barra e rëndë që lufta i vuri mbi supe një fëmije – barrën e mbijetesës dhe përgjegjësisë për jetën e vëllait të tij, shkruan Ballkani.info.
Në atë rrugetim të dhimbshëm, instinkti i vëllait dhe i prindit u bashkua me forcën e një fëmije që lufta e detyroi të rritej para kohe. Një fëmijë që u bë “burrë” jo nga zgjedhja, por nga nevoja për të mbijetuar.
Fotografia ka prekur mijëra njerëz, duke u shndërruar në simbol të vuajtjes së fëmijëve gjatë luftës në Kosovë. Një imazh që “ta këput zemrën”, por që njëkohësisht dëshmon forcën e jashtëzakonshme njerëzore përballë tmerrit.
Gazetari Blendi Fevziu u ka bërë thirrje të gjithë atyre që mund të kenë informacion mbi këtë fotografi apo personat në të, që ta ndajnë atë, me shpresën se historia e këtyre dy vëllezërve do të zbardhet.
Shpresa mbetet që sot, pas kaq vitesh, të dy të kenë mbijetuar, ta kenë kapërcyer atë periudhë të errët dhe të jetojnë të lirë e dinjitozë në atdheun e tyre.







