FOTO| Policia e Kosovës sekuestron 3 mijë kilogramë mish me prejardhje nga Brazili

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka parandaluar një rast dhe ka sekuestruar 3 mijë kilogramë mish me prejardhje nga Brazili në pikën kufitare në Zhegër.

Në njoftimin e Policisë thuhet se bazuar edhe në analizën e rriskut dhe informacioneve inteligjente të bëra nga ana e njësive të policisë kufitare është arritur të identifikohen një automjet kombi (furgon) pa targa.

“Patrullat e Policisë Kufitare të Stacionit Policor për Mbikëqyrje të Kufirit- Zhegër, kanë intensifikuar patrullimet dhe aktivitetet patrulluese e hetimore me qëllim parandalimin e dukurive të kundërligjshme në kufi.  Si rezultat i angazhimeve policore, më 19.02.2022, rreth orës 12:30, bazuar edhe në analizën e rriskut dhe informacioneve inteligjente të bëra nga ana e njësive të policisë kufitare është arritur të identifikohen një automjet kombi (furgon) pa targa, i drejtuar nga një mashkull kosovar i cili përmes rrugëve ilegale kishte hy në vendin tonë nga territori i Maqedonisë.

Autoritetet policore kufitare edhe përkundër tentativës së drejtuesit të automjetit për t’iu shmangur ndalimit policor, kanë arritur ta ndalojnë në fshatin Kabash të Vitisë.  Gjatë kontrollit në automjetit është gjetur mall i kontrabanduar, 108 pako me gjithsej 3.000 (tre mijë) kilogram mish i kuq  me prejardhje nga Brazili”, thuhet në njoftim.

Sipas policisë rasti është trajtuar nga patrulla e Policisë Kufitare dhe Njësia e Hetimeve Rajonale e Drejtorisë Kufitare Lindje, në bashkëpunim me prokurorinë përkatëse pas hetimeve preliminare malli i konfiskuar do t’i dorëzohet Doganave të Kosovës.