Foto

FOTO| Pas Përparim Ramës, Zyra e Kryeministrit tash zbarkon në hotelin luksoz të Pejës

Pas Përparim Ramës dhe stafit të tij, tani edhe një pjesë e personelit të Zyrës së Kryeministrit ka zbarkuar në fshatrat e bukura të Pejës. Ata që do të duhej të ishin në shërbim të qytetarëve, siç duket janë shumë të dhënë që konsultat, idetë, trajnimet dhe bisedat për çështje të ndryshme t’i realizojnë në hotelet luksoze të Pejës.

Demokracia.com ka mësuar se një pjesë e madhe e personelit të Zyrës së Kryeministrit së bashku me staf nga Ambasada e Suedisë, këto ditë po qëndrojnë në Pejë për një trajnim katër ditor.

Në disa foto të siguruara nga arritja e tyre shihet se nuk është i vogël numri i personave që po marrin pjesë në këtë trajtim, gjë që nënkupton shpenzime më të mëdha.

Demokracia.com merr vesh se zyrtarët e Kryeministrisë po qëndrojnë në një prej resorteve më luksoze në Pejë, ku çmimi për një natë fillon nga rreth 60 euro në një dhomë për vetëm dy persona.

Edhe Përparim Rama, kryetari i ri i Prishtinës, duket se është i pasionuar që punët t’i kryejë më lehtë larg zyrës së tij.

Ditë më parë u raportua se ai bashkë me gjithë kabinetin që sapo e ka emëruar kanë udhëtuar për një fundjavë pune në Pejë, por megjithatë vetë Rama deklaroi se s’di sa ka paguar për këtë udhëtim.

Sa i përket Kurtit, Demokracia.com ka raportuar më herët se Qeveria po i mban shumicën e punëtorive në lokalin e një përkrahësi të Lëvizjes Vetëvendosje.

Brenda një jave, Qeveria kishte mbajtur 4 punëtori në restorantin dhe furrën me emrin “Bukë e zemër’, në pronësi të Leart Marenit, i cili nga ajo që poston në rrjetet sociale u pa se është një përkrahës i flaktë i Kurtit.