FOTO| Ekskursion apo vizitë zyrtare? Kurti nuk shoqërohet as nga shërbimi sekret në SHBA

Shërbimi Sekret në SHBA është një prej agjencive më të fuqishme dhe më të vjetra në botë, i cili i shoqëron edhe liderët e shteteve, presidentë, kryeministra e kryeparlamentarë të shteteve të huaja, që shkojnë për vizita zyrtare në SHBA.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po shoqërohet nga policia lokale në IOWA dhe jo nga shërbimi sekret dhe protokolli shtetëror amerikan, raporton Demokracia.com.

Të paktën kështu thuhet në një postim në rrjetin social të Departamentit të Policisë në Johnston, Iowa.

“Këtë mbrëmje, detektivi Meng nga JPD dhe Sgt. Lewiston nga Norwalk PD ishin duke garantuar sigurinë e kryeministrit të Kosovës, z. Albin Kurti, derisa ai ishte në qytetin e Johnston”, thuhet në këtë postim.

Zakonisht, shërbimi sekret amerikan është ai që kujdeset për sigurinë e liderëve, madje edhe të atyre që vizitojnë SHBA-në dhe kjo theksohet qartë edhe në faqen zyrtare të tyre.

“Ne mbrojmë liderët më të lartë të zgjedhur të kombit tonë, vizitat e krerëve të shteteve të huaja dhe ngjarjet e sigurisë speciale kombëtare; dhe mbrojmë infrastrukturën financiare dhe sistemet e pagesave të SHBA-së”, thuhet në faqen zyrtare të shërbimit sekret amerikan, përcjell Demokracia.com.

Kryeministri Kurti gjatë gjithë këtyre ditëve që po qëndron në SHBA, asnjë ditë nuk është shoqëruar nga shërbimi sekret amerikan dhe protokolli i shtetit.

Vizita e Kurtit në SHBA është duke u parë thjesht si një “ekskursion”, duke marrë parasysh se nuk e kishte asnjë takim të rëndësishëm deri më tani.

Madje, një prej arsyeve pse Osmani e Kurti kishin udhëtuar ndarazi për të marrë pjesë në varrimin e ish-sekretares Madeleine Albright, sipas burimeve brenda Presidencës, ishte paralajmërimi i diplomatëve kosovarë në SHBA se për Kurtin nuk ishte paraparë pritje protokollare dhe përcjellje shtetërore nga shërbimi sekret amerikan.

Në anën tjetër, liderë të tjerë kosovarë, si ish-presidenti Hashim Thaçi, në vizita të tilla janë shoqëruar vazhdimisht nga agjentët e shërbimit sekret amerikan.

Madje, Thaçi edhe në vizitën që kishte bërë te varri i senatorit të ndjerë amerikan, John McCain, ishte i shoqëruar nga Garda e Nderit.