Qeveria e Kosovës ka njoftuar se kryeministri Avdullah Hoti, në bashkëpunim me ambasadorin e Italisë, Nicola Orlando dhe me mbështetje të komandantit të KFOR-it Michele Risi, si dhe kryetarin e Deçanit, kanë arritur marrëveshje për projektimin, ndërtimin dhe përdorimin e rrugëve, të cilat kalojnë nëpër Zonën e Veçantë të Mbrojtur të Manastirit të Deçanit.
Marrëveshja është thënë të jetë rezultat i diskutimeve për disa muaj mes Komunës së Deçanit dhe përfaqësuesve të Kishës Ortodokse në Manastirin e Deçanit.
Lidhur me këtë çështje, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka thënë përmes një komunikate se marrëveshja përfshin zhvillimin e një rruge ndërkombëtare në kufijtë e Zonës së Veçantë të Mbrojtur dhe një rruge brenda kësaj Zone.
Sipas BE-së, “kjo marrëveshje synon të nxisë marrëdhëniet mes komuniteteve përmes mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe rritjes së zhvillimit ekonomik brenda komunës së Deçanit dhe rajonit”.
Marrëveshjen e ka komentuar edhe kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj.
Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, ai ka konsideruar se bllokada e deritashme për ndërtimin e rrugës Deçan – Plavë, ka qenë e paqëndrueshme.

E në një fotografi të Ballkani.info, kryetari i Deçanit shihet në gjunj duke treguar se ka duhet të shkojë traseja e re e rrugës Deçan-Plavë, në pjesën që ishte bllokuar nga Manastiri i Deçanit.
Pran tij është ministri i Ekonomisë dhe Zhvillimit Ekonomik, Blerim Kuçi. Fotografia është bërë në ditën kur është arritur marrëveshja më 9 nëntor.
Sipas kësaj marrëveshjeje, Komuna e Deçanit do të procedojë me rehabilitimin/shtrimin e rrugës së Gushavcit dhe asaj të Manastirit, në trasetë e tyre ekzistuese, si rrugë lokale duke e përfshirë këtu edhe transportin e mallrave dhe kafshëve si nevoja të banorëve dhe familjeve që shfrytëzojnë bjeshkët për gjatë Grykës së Deçanit.
Me të njëjtën dinamikë të sinkronizuar, do të rehabilitohet edhe rruga e bypass, duke i dhënë fund një bllokade të paqenë të refuzimit të paarsyeshëm të ndërtimit të rrugës, hapjen e perspektivës ekonomike lokale, realizimit të lirisë së lëvizjes për banorët e Deçanit veçanërisht, dhe lidhjes ndërkombëtare ndër-shtetërore me Plavën. /Ballkani.info/







