FOTO EKSKLUZIVE: Ministrja Albulena Haxhiu me veturë zyrtare e merr të birin nga çerdhja

Qeveria e re e Kosovës ende nuk i ka mbushur 100 ditë të funksionimit të saj. Qeveria e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti për më shumë se një muaj që është në detyrë ka marrë disa vendime, shumica janë shkarkime të bordeve të kaluar të Ndërmarrjeve Shoqërore.

Po ashtu janë shkarkuar edhe shumë konsuj, si dhe është kërkuar kthimi i disa ambasadorëve, që kryesisht e kanë përfunduar mandatin.

Zhvillime ka pasur edhe në Ministrinë e Drejtësisë, digaster ky që drejtohet nga Albulena Haxhiu.

Ministrja Haxhiu ka marrë vendim që të anulohet konkursi për noterë të rinj, gjë që është përshendetur nga opinioni i gjerë.

Megjithatë, ministrja Haxhiu, si duket e ngarkuar me punë, sot e ka përdorur veturën zyrtare që ta merr të birin nga çerdhja.

Ballkani.info ka siguruar fotografi të zonjës Haxhiu derisa shihet duke e futur fëmiun në veturën e tipit Audi me targa 3Z.

E kontaktuar nga Ballkani.info, Haxhiu e ka pranuar këtë.

“Po është e vërtetë, sot e kam marrë fëmiun rreth orës 16:00 në kopsht, kam shkuar prapë në ministri, sepse kam pasur punë edhe pasdite. Ndërsa tash erdha në shtëpi bashkë me djalin tim. Nuk kam pasur mundësi t’ia lë dikujt, prandaj është dashtë ta marrë në zyre dhe është dashtë me marrë në kopsht”, ka thënë ministrja Haxhiu për Ballkani.info.

Të kujtojmë se Lëvizja Vetëvendosje sa ishte në opozitë kritikonte shfrytëzimin e veturave zyrtare për punë private. /Ballkani.info/