Në këtë foto shihet qartë se si po përgatiten bazamentet për vendosjen e billbordeve të reja në qytetin e Gjilanit. Kabllot elektrike dalin nga betoni, ndërsa furnizimi është tërhequr direkt nga shtylla e ndriçimit publik.
Ajo që bie në sy është fakti se nuk ka asnjë orëmatës për matjen e konsumit të energjisë. Kjo nënkupton se billbordet, sapo të vendosen dhe të ndriçohen, do të furnizohen nga rrjeti i ndriçimit publik të qytetit. Në praktikë, faturat e energjisë elektrike për to do t’i paguajnë qytetarët e Gjilanit përmes buxhetit të komunës, ndërkohë që përfitimi financiar nga hapësirat reklamuese do t’u mbetet kompanive private.
Ky veprim ngre shumë pyetje: Pse këto billborde nuk kanë orëmatës të veçantë?
Kush ka dhënë leje që të lidhen në ndriçimin publik?
A është e drejtë që qytetarët të mbulojnë shpenzimet e energjisë për reklama private?
Sipas rregullave të furnizimit me energji, çdo konsumator i veçantë duhet të ketë kontratë dhe orëmatës të regjistruar. Në këtë rast, këto parime po shkelen, duke krijuar një padrejtësi të qartë financiare ndaj qytetarëve.
Është koha që Komuna e Gjilanit dhe KEDS të japin përgjigje të qarta dhe të marrin masa, në mënyrë që kostot e rrymës të mos bien mbi qytetarët, por mbi ata që realisht përfitojnë nga këto billborde.












