Foshnjës pesëmuajshe të infektuar me koronavirus nga Topanica i përkeqësohet gjendja, dërgohet në QKUK

Një foshnje pesëmuajshe nga fshati Topanicë i komunës së Kamenicës, e cila është infektuar me koronavirus është dërguar për trajtim në Klinikën Infektive në Prishtinë, pasi që gjendja e saj shëndetësore është përkeqësuar.

Këtë e ka konfirmuar doktori Latif Sylaj, i cili është pjesë e Qendrës së Mjekësisë Familjare (QKMF) në Kamenicë, raporton Koha.

Sylaj ka thënë se foshnja është dërguar në Klinikën Infektive në Prishtinë për trajtim të mëtutjeshëm shëndetësor pasi gjendja e saj është përkeqësuar.

“Foshnja ka pasur barkëqitje dhe ka pasur kollitje të thatë dhe kemi dërguar për trajtim në Klinikën Infektive në Prishtinë. Stafi jonë nga QKMF-ja ka shkuar në shtëpinë e tyre dhe ka marr vajzën pesëmuajshe dhe me autoambulancë e kemi dërguar në Prishtinë”, citohet të ketë thënë fillimisht ai.

Syla më tej ka treguar se gjendja e personave të tjerë të infektuar me koronavirus është stabile.

“Gjendja e personave tjerë të cilët janë të infektuar me COVID 19 është stabile. Fshati Topanicë tani është në karantinë të plotë meqë dyshohet se personi i parë që është prekur me koronavirus ka pasur kontakte edhe me persona tjerë” ka thënë ai.