Foshnja dy muajshe u dërgua me temperaturë shumë të lartë në spital, ende nuk dihet si u infektua me COVID-19

Një foshnje dy muajshe në Shqipëri e prekur nga Covid-19 është paraqitur mbrëmë tek Infektivi së bashku me të ëmën. Gjeorgjina Kuli, shefja e Infektivit të Pediatrisë tha sot se gjendja e foshnjes 2 muajshe që ka shfaqur simptoma të Covid-19 është e stabilizuar.

Ndërkohë, Eugena Tomini, Shefja e Inteligjencës Epidemiologjike në Institutin e Shëndetit Publik, ka thënë se është ende në hetim se nga mund të ketë rënë foshnja në kontakt me virusin.

“Foshnja ka paraqitur temperaturë shumë të lartë dhe me shenja shumë të pakta respiratore. Foshnja është paraqitur në spitalin infektiv në pediatri për të kërkuar trajtim dhe ndërkohë rasti është nën hetim epidemiologjik nisur nga disa karakteristika; babai sapo ka ardhur nga një nga shtetet e Evropës dhe ndërkohë po hetohet edhe për lidhjen epidemiologjike të nënës. Një hetim i hollësishëm po bëhet në këtë rast për të dy prindërit, pasi foshnja ka qëndruar shumë më gjatë me nënën për shkak se është një foshnje 2 muajshe dhe duke qenë një periudhë e lehonisë kontakti ka qenë më së shumti vetëm me nënën”, u shpreh Tomini.

Ndërkohë Gjeorgjina Kuli bëri të ditur se rreth 110 fëmijë janë prekur nga COVID-19 që prej fillimit të pandemisë, por ky është rasti i parë që është dashur të hospitalizohet.