Forcat ruse po i mbajnë peng 11 kryebashkiakë ukrainas dhe kanë vrarë një në paraburgim

Forcat ruse po i mbajnë robër 11 kryebashkiakë ukrainas dhe kanë vrarë një kryetar të një komune që ishte në paraburgim, tha të dielën zëvendëskryeministrja ukrainase Iryna Vereshchuk.

Në një mesazh të postuar në mediat sociale, Vereshchuk tha se 11 kryebashkiakë nga rajonet e Kievit, Khersonit, Mykolaiv dhe Donetsk “janë në robëri nga forcat ruse”, raporton CNN.

Ajo shtoi se Ukraina do të “informojë Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, OKB-në dhe organizata të tjera për robërinë e tyre”.

Vereshchuk tha se qeveria ukrainase ka mësuar të shtunën se Olga Sukhenko, kryetarja e Motyzhyn, një fshat në rajonin e Kievit, u vra në robëri nga forcat ruse.

“Ky është një krim lufte, ata që janë përgjegjës do të dënohen në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare”, tha Vereshchuk, duke shtuar se Ukraina do të bëjë përpjekje për të siguruar që “civilët tanë, kryebashkiakët, priftërinjtë, gazetarët dhe aktivistët tanë të çlirohen” nga paraburgimi.