Forcat australiane kryen krime lufte ndaj civilëve në Afganistan: Kryeministri australian kërkon falje

Forcat australiane vranë në mënyrë mizore 39 njerëz në afganistan mes 2005 dhe 2016, sipas një raporti të publikuar së fundmi.

Ky  zbulim është bërë pas një hetimi katër vjeçar nga Forca Australiane e Mbrojtjes, e cila hetoi 57 incidente, mori dëshmi nga qindra dëshmitarë dhe shqyrtoi më shumë se 20,000 dokumente.

Duke folur në kryeqytetin Australian të Canberra, gjenerali Angus John Campbell tha se hetimi “zbuloi se kishte informacione të besueshme për të vërtetuar 23 incidente të vrasjes së pretenduar të paligjshme të 39 njerëzve nga 25 personel të Forcave Speciale Australiane, kryesisht nga Regjimenti Special i Shërbimit Ajror”.

Ai shtoi: “Rastet në të cilat është zbuluar se ka informacion të besueshëm për një krim lufte janë ato në të cilat ishte, ose duhej të ishte, e qartë se personi i vrarë ishte një jo-luftëtar”.

Mendohet se të vrarët përfshinin të burgosur, fermerë dhe civilë të tjerë, dhe nga 25 autorët që u identifikuan, disa ende po shërbejnë.

Raporti gjithashtu zbuloi se asnjë nga vrasjet nuk ndodhi gjatë “nxehtësisë së betejës” dhe se të gjitha viktimat u zbuluan të mos ishin luftëtarë, ose nuk ishin më luftëtarë.

Kryeministri Australian Scott Morrison foli me Ashraf Ghani, duke i kërkuar falje.

Morrison “shprehu hidhërimin e tij më të thellë për sjelljen e keqe nga disa trupa Australiane në Afganistan dhe siguroi Presidentin e Republikës Islamike të afganistanit për hetimet dhe sigurimin e drejtësisë”, sipas zyrës së Ghanit.

Trupat australiane kanë qenë në Afganistan që nga viti 2002, si pjesë e një misioni të udhëhequr nga SHBA për të luftuar militantët Talibanë.