Kurtesh Fondaj

Fondaj: Veseli ka qenë jashtë Kosovës, kontakti i parë me atë ka qenë në prill 1999

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, po vazhdon dëshminë ish-ushtari i Zonës Operative të Pashtrikut, Kurtesh Fondaj në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Dëshmitari Kurtesh Fondaj gjatë dëshmisë së tij në Hagë ka thënë se me ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli kontaktin e parë kur ai ishte emëruar udhëheqës i Zbulim Kundërzbulimit e kishte pasur në prill të vitit 1999.

Fondaj ka thënë se në këtë cilësi, kontaktin e parë me Veselin e kishte pasur në fund të muajit prill dhe se deri atëherë nuk e dinte që është kthyer në Kosovë.

“Kur u shku nuk e di, por realisht unë diku e kam taku në muajin prill 1999. Deri atëherë nuk kam qenë në dijeni që është kthy dhe kontakti i parë që kam pasur me atë ka qenë në fund të muajit prill”, ka thënë dëshmitari.

Fillimisht, dëshmitarit iu prezantua një dokument i marsit të 1999-ës, në të cilin Halil Çadraku dhe Sadik Halitjaha kishin bërë ankesë në Shtabin e Përgjithshëm. Për këtë, dëshmitari tha se data e këtij dokumenti nuk përkon me periudhën kur Veseli ka qenë në territorin e Kosovës.

“Vetëm e di që ai nuk ka qenë në territor të Kosovës. Kaq”, ka deklaruar Fondaj.

Dëshmitari tha se është i vetmi dokument që dëshmitari kishte parë që Çadraku ia kishte dërguar Shtabit të Përgjithshëm. Ai shtoi se nuk dinte për punën dhe veprimtarinë e Çadrakut.

“Këtë dokument pas luftës e kam pa dhe s’e kam pa gjatë fazës së luftës dhe po është i vetmi dokument. Unë nuk kam informacion dhe s’e di për veprimtarinë dhe punën e tij…Unë nuk kam qenë në dijeni të punës së Çadrakut, por vetëm informacionin që e bazoj unë është në këtë dokumentin që ju mbani në dorë. Nuk kam dyshu që ai nuk po punon dhe ka punu keq, por lëshimet i ka bërë prej mosdijes. Kur njeri nuk di vjen tek injoranca dhe mosdija. Nuk besoj që ka pas ndonjë tendencë të caktume”, ka thënë dëshmitari.

Tutje, avokati Veselit, Ben Emmerson e pyeti dëshmitarin se a është e drejtë të thuhet se në rast që Çadraku mund të ketë folur në ndonjë rast privatisht me ndonjë nga anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm, nuk ka pasur mundësi që ky person të jetë Veseli për shkak se ai në atë periudhë nuk ka qenë në Kosovë.

“Është e vërtetë që Veslei nuk ka qenë në Kosovë në atë periudhë”, është përgjigjur Fondaj.

Tutje, Emmerson i tha dëshmitarit se a pajtohet të thuhet që ky dokument i prezantuar është thjesht një dokument me ankesa për funksionin e brigadës dhe jo që ka qenë ndonjë përmbajtje me informacion zbulimi apo inteligjencës, pra është ankesë për komandantin e zonës.

“Realisht është i titullum edhe si një deklaratë. Nuk është raport”, ka thënë Fondaj.

Tutje, me pyetje për këtë dëshmitar vazhdoi mbrojtja e Rexhep Selimit përmes avokatit Geoffrey Roberts.