FOL: Në Qeverinë Hoti 36% e ministrave kanë pasuri në emër të bashkëshortes, në atë Kurti kishin 85%

Lëvizja FOL ka mbajtur konferencë për media me ç’rast është bërë publikimi i raportit “Pasuria e (pa)ndarë – Posedimi i pasurisë nga zyrtaret politike dhe bashkëshortet e zyrtarëve politikë”.

Alba Jakupi, e cila bëri prezantimin e raportit ka thënë se nga të gjeturat në qeverinë Hoti 36% e ministrave kanë pasuri në emër të bashkëshortes, ndërsa në Qeverinë Kurti 85% e ish-ministrave kanë pasur pasuri në emër të bashkëshortes.

“Deklarimet e pasurive konsiderohen të jene një mjet i fuqishëm drejt parandalimit të korrupsionit. Nga të gjeturit e raportit rezultojë se në qeverinë Hoti 36% e ministrave kanë pasuri në emër të bashkëshortes”.

“Në Qeverinë Kurti 85% e ish ministrave kanë pasuri në emër të bashkëshortes. Ndërsa në qeverinë Haradinaj 25% e ish-ministrave kanë pasur pasuri në emër të bashkëshortes”.

Edi Gusia, drejtoreshë e Agjencisë Për Barazi Gjinore në zyrën e kryeministrit, tha se edhe pse nuk udhëheq asnjë grua në nivelin komunal, 50% e kryetarëve të komunave kanë të regjistruar pasuri në emër të bashkëshorteve.

“Situata nuk është e kënaqshme nga të dhënat e tri mandateve dhe për mua është befasi niveli komunal ku nuk ka asnjë grua kryetare të komunës, gjysma e kryetarëve kanë të regjistruar pasuri në emër të bashkëshortes”.

“Gratë kanë të drejtën ligjore që pronën ta kenë për gjysmë me burrat e tyre. Deri në fund të 2020 kemi mbi 7 mijë qifte që e kanë regjistruar pronën në emër të dy bashkëshortëve”.

Drejtoresha në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demolli, tha se në Kosovë nuk është e kënaqshme ndarja e trashëgimisë, dhe siç thotë ajo kjo tregon se ka ende mbetje të patriarkatit në familje dhe institucione, raporton EO.

“Numrat na tregojnë se kemi mbetje të patriarkatit si në familje dhe në institucione. Ndarja në Kosovë te trashëgimia nuk është e kënaqshme”.

“Gjyqtarët tanë dhe noterët e kanë një obligim që ta respektojnë ligjin për barazi gjinore dhe duke inkurajuar gratë që të marrin pasurinë”.