FOL: Komisioni i Kuvendit fshehurazi përzgjedhë për emërim kandidatët për gjyqtarë të Kushtetueses

Organizata Fol e ka akuzuar Komisionin e Posaçëm të Kuvendit se fshehurazi ka përzgjedhur për emërim kandidatët për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese.

Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, nga kjo organizatë kanë thënë se ka munguar transparenca me rastin e propozimit të kandidatëve për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese nga Komisioni i Posaçëm i Kuvendit.

“Komisioni i posaçëm i Kuvendit për shqyrtimin e kandidatëve për emërim në Gjykatën Kushtetuese, i kryesuar nga deputeti Adnan Rrustemi, në mënyrë të fshehur ka zhvilluar procesin për përzgjedhjen e kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese“, thuhet nga kjo organizatë.

Fol dhe organizatat tjera i kanë parë tendencat e tilla si shqetësuese dhe i kanë bërë thirrje që të tilla të konsiderohen edhe nga i gjithë spektri politik e shoqëror në Kosovë.

Reagimi i plotë:

REAGIM:  Komisioni i Kuvendit fshehurazi përzgjedhë për emërim kandidatët për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese

Prishtinë, 24 gusht 2021 – Ne, organizatat e poshtëshënuara reagojmë ndaj mungesës së transparencës me rastin e propozimit të kandidatëve për Gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese nga Komisioni i posaçëm i Kuvendit.

„Njëherit, vetë kryesuesi i Komisionit z. Rrustemi i kishte njoftuar të pranishmit në mbledhjen fillestare që për takimet e radhës do të informohen me kohë.

Një informim i tillë nuk ndodhi kurrë (me gjithë kërkesat e bëra), ndërkaq ky Komision, tetë ditë më pas, publikoi në ueb faqe lajmin se procedoi tutje në Kuvend për emërim listën e ngushtë prej gjashtë kandidatësh, ku vetëm dy do të emërohen eventualisht nga Kuvendi në seancat e radhës. Ky proces u zhvillua pa pjesëmarrjen e shoqërisë civile — megjithëse mbledhjet e Komisionit do duhej të ishin të hapura dhe transparente konform Rregullores së Punës së Kuvendit. 

Ne si Organizata të Shoqërisë Civile në Kosovë e shohim me shqetësim faktin që ky Komision injoron përfshirjen e shoqërisë civile në një proces kaq të rëndësishëm siç është përzgjedhja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Komisioni as nuk ka dërguar ftesa për pjesëmarrje në mbledhje të Komisionit e as nuk është përgjigjur në shprehjet e interesimit për pjesëmarrje të dërguara në adresë të tij. Kjo nuk kishte ndodhur në procesin paraprak për shqyrtimin e kandidatëve për gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese, ku shoqëria civile në mënyrë aktive kishte marrë pjesë. Ndryshimi i kësaj praktike, është i pakuptueshëm dhe pa bazë ligjore. Për më tepër, ky veprim i Komisionit prek në thelb edhe vet integritetin e procesit të përzgjedhjes së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, zgjedhja eventuale e të cilëve do të cilësohej si jo transparente.

Kjo nuk është hera e parë që Komisionet e legjislaturës aktuale shpërfillin pjesëmarrjen e rëndësishme të shoqërisë civile në monitorim të proceseve me interes publik. Ne organizatat e poshtëshënuara, tendencat e tilla i shohim si shumë shqetësuese dhe bëjmë thirrje që të tilla të konsiderohen edhe nga i gjithë spektri politik e shoqëror në Kosovë. Mbi të gjitha, legjislatura aktuale duhet ta ketë të qartë rolin dhe rëndësinë që ka shoqëria civile, duke krijuar kushtet e nevojshme për ushtrimin e misionit të saj.  

Organizatat nënshkruese:

Kosovo Law Institute (IKD)

Lëvizja FOL

Group for Legal and Political Studies(GLPS)

Kosova Democratic Institute / Transparency International Kosova (KDI)

KCSF