RTK

FOL-i e quan jotransparent procesin e intervistimit të kandidatëve për Bord të RTK-së

Lëvizja FOL e ka cilësuar jotransparent, jomeritor dhe të pa integritet procesin e intervistimit të kandidatëve për anëtarë të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK).

Në një komunikatë për media, kjo organizatë joqeveritare tha të mërkurën se e ka monitoruar procesin, duke thënë se e konsideron shkelje që poentimi i kandidatëve u bë në fund të procesit, e jo pas çdo intervistimi.

“Lëvizja FOL konsideron që procesi i intervistimit ka qenë jo transparent sa i përket mënyrës së poentimit të kandidatëve, për shkak se poentimi është bërë në fund të intervisimit të të gjithë kandidatëve dhe jo pas çdo kandidati, si dhe pikët janë mbledhur si total dhe jo të ndara nëpër kategori (arsimi, njohuritë për pozitën, integriteti, si dhe vizioni). Rrjedhimisht, ne vlerësojmë se një proces transparent dhe i drejtë i intervistimit do të duhej të përfshinte vlerësimin e çdo kandidati menjëherë pas intervistimit të tyre, si dhe të publikonte pikët e tyre të marra në çdo kategori për të siguruar transparencë dhe llogaridhënie në mënyrën se si u vlerësuan kandidatët, ashtu siç ishte vepruar në proceset rekrutuese të monitoruar nga ekspertët britanik”, thuhet në reagim.

Kandidatë për anëtarë të Bordit të RTK-së ishin Albinot Hamiti që u vlerësua me 237 pikë, Albinot Maloku me 234 pikë, Besa Maxhuni 206 pikë, Arta Berisha 203 pikë, Besnik Boletini 203 pikë dhe Dritan Shaipi 183 pikë. Në radhët e komunitetit serb ishin Oliver Vujoviq 180 pikë dhe Nenad Janiqeviq 159 pikë.

FOL-i e ka konsideruar shqetësuese edhe mosrespektimin e parimit të meritokracisë dhe dallimet në vlerësimin e kandidatëve nga ana e anëtarëve të Komisionit “për të njëjtin kandidat”.

“Për shembull, deputetët nuk kanë ofruar asnjë arsyetim për poentimin minimal, gjë që nuk përkon me praktikat e krijuara gjatë proceseve rekrutuese me pjesëmarrjen e ekspertëve britanikë. Gjithashtu, është vërejtur qartë se deputetët nga radhët e pozitës kandidatët i kanë poentuar në mënyrë të përafërt, njëjtë sikurse kanë vepruar edhe deputetët nga radhët e opozitës. Rrjedhimisht, Lëvizja FOL vlerëson se mënyra e poentimit të kandidatëve nuk ka siguruar parimet e vlerësimit objektiv dhe të barabartë. Prandaj, i bëjmë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të respektojnë parimet e meritokracisë për pozitat e zgjedhura në institucionet me interes publik, siç është Radio Televizioni Publik i Kosovës”, thuhet tutje në komunikatën e organizatës që angazhohet për qeverisje të mirë.