FMN-ja kërkon rishqyrtimin e Projektligjit për Pagat, ka shqetësime edhe për veteranët

Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka përfunduar vizitën në Kosovë, anëtarët e të cilit kanë zhvilluar një sërë takimesh më përfaqësues të lartë dhe ekspertë të institucioneve qeveritare.
Me këtë rast, ministri i Financave (MF), Bedri Hamza dhe udhëheqësja e Misionit të FMN-së për Kosovë, Stephanie Eble, kanë mbajtur konferencë për medie.

Hamza tha se për gjatë dy javëve me përfaqësuesit e FMN-së kanë diskutuar për ecurinë e buxhetit aktual, buxhetin për vitin e ardhshëm dhe për nenin katër të ligjit i cili rregullon çështjet e Qeverisë me FMN-në. Hamza tha se presin që buxheti aktual të përmbushet në masë 98-99 për qind.

Hamza theksoi se presin që deficiti buxhetor te jetë më pak se 2 për qind në fund të viti.

“Jemi të detyruar t’i bëjmë disa ndryshime në buxhet sepse është e domosdoshme sepse kemi lëvizje buxhetore”.

Hamza tha se e kanë diskutuar në detaje buxhetin për vitin 2019 dhe bëri të ditur se është qëndrim i përbashkët më FMN-në që të vazhdojnë të ruajnë rregullin e bankave dhe rregullin e bilancit bankar.

Kreu i MF-së vlerësoi se dallimet në parashikimet ekonomike mes FMN-së dhe Qeverisë janë shumë të vogla, rreth 30 milionë euro.

“Sa i përket projeksioneve ekonomike, FMN është pak më ulët se ne, e vlerësojmë këtë, por dallimet janë shumë simbolike. Kemi dallime simbolike edhe rreth projeksioneve. Ne e kemi miratuar buxhetin me një diferencë simbolike. Janë disa milionë euro që kemi dallim te projeksionet por kjo nuk e ndryshon qasjen e përbashkët. Dallimin e kemi për rreth 30 milionë euro që duhet të jenë më pak të hyra të planifikuara”, raporton EO.

Hamza tutje tha se është e mirëpritur nga FMN-ja fakti që u është dhënë prioritet rendit dhe ligjit, shëndetësisë, arsimit. Ai ka deklaruar se nëse rritet buxheti për këta sektorë atëherë duhet të rritet edhe efekti në këta sektorë.

Hamza u shpreh se Kosova qëndron mirë ne aspektin fiskal por kjo sipas tij nënkupton qe të ndërmarrin veprime që kanë kosto.