Flutura Kusari për hapjen e TV-së nga Vetëvendosje: Kjo është e tmerrshme për demokracinë!

Njohësja e mirë e mediave dhe ligjeve që kanë të bëjnë me rregullimin e kësaj fushe, Flutura Kusari, ka thënë se hapja e Televizionit nga Lëvizja Vetëvendosje, është ditë e keqe për demokracinë në Kosovë.

“Lëvizja Vetëvendosje e paska themeluar mediumin e saj televiziv online, njëjtë sikur Edi Rama që e ka ERTV. Kjo është e tmerrshme për demokraci. Sot është një ditë e keqe për lirinë e mediave dhe të drejtën e gazetarëve për qasje në informacione në Kosovë”, ka thënë Kusari, shkruan Ballkani.info.

Sipas saj, KPM-ja ia ndalon shprehimisht partive politike që të hapin televizione (Ligji për KPM, neni 22.3).

“Standard i njëjtë duhet të vlejë edhe për televizionet e partive politike që hapen duke shfrytëzuar platformat e mediave sociale”, ka thënë ajo.

Lëvizja Vetëvendosje është subjekti i parë politik që krijon një televizion të vetin.

Albulena Haxhiu, nënkryetare e kësaj partie, ka thënë në Info Magazine në Klan Kosova, se qëllimi i kësaj iniciative ka qenë që të paraqesin qëndrimet për çështje të caktuara.

“E respektojmë punën që bëjnë mediat dhe gazetarët në Kosovë, por e kemi parë të rëndësishme që ta bëjmë edhe një televizion, ku shpalosim qëndrimet tona, nëse jemi të ftuar në ndonjë medium, ndonjëherë nuk mund t’i përçojmë të gjitha mesazhet e Lëvizjes Vetëvendosje”.

Haxhiu ka thënë që Lëvizja Vetëvendosje, shquhet për veprimet më unike që i bën.

“Qasja kritike ndaj kësaj iniciative, është e mirëseardhur, megjithatë  ne e shohim të rëndësishme që kemi bërë diçka të tillë”, është shprehur Haxhiu. /Ballkani.info/