Me meritë mjekët dhe infermierët në këtë kohë të përballjes me coronavirusin, po cilësohen si heronj.
Për bluzat e bardha ditët e fundit nuk kanë munguar falënderimet e mbështetja, jo vetëm nga institucionet por edhe nga shumë qytetarë.
Një prej infermierëve që ka qenë në vijë të parë kundër coronavirusit është edhe Fitim Havolli, i cili nga dita e parë kur shpërtheu virusi në Kosovë me 13 mars, po i ndihmon pacientët e infektuar, sigurisht së bashku me shumë kolegë të tjerë.
Havolli thotë se nga dita e parë e deri sot, situata me coronavirusin është menaxhuar mirë, ndërsa shpreh keqardhje për personat që kanë vdekur.
“Si për gjithë botën por edhe për ne si Infermierë/e sfida kryesore është se virusi është ende i panjohur në raport me njerëzimin! Sa i përket sfidave tjera profesionale mund të ju them që jo vetëm unë, por i gjithë stafi dhe menaxhmenti aktual është i mrekullueshëm, duke u bazuar në përvojat tona të shumta me epidemi të ndryshme që klinika Infektive dhe stafi i saj, infermier e mjekë, përballen! Këtu çka është për ne sfidë dhe e mundimshme është veshja me rroba speciale dhe shumë të mundimshme edhe gjatë ndërhyrjeve tona profesionale, por e kuptueshme duke e marrë parasysh këtë virus vdekjeprurës në gjithë botën. Fatmirësisht tek ne deri me sot nga dita e parë të rasteve me Covid-19 është duke u menaxhuar mirë sipas mendimit tim, duke ndier keqardhje për gjithë ata/ato që humbën betejën më këtë virus”, ka thënë Havolli
Ai thotë se kënaqësia më e madhe për stafin mjekësor është kur puna e tyre profesionale rezulton me rezultatin e mirë që i vije pacientit.
Ai tregon si e falënderojnë atë dhe kolegët e tij për punën që po e bëjnë në në këto ditë të vështira.
Ai tregon se ishte kujdestar më datën 13 mars kur u paraqit rasti i parë me coronavirus në vendin tonë, ndërsa thotë se për 14 ditë kishte qëndruar larg gruas dhe tre fëmijëve, ndërsa shton se edhe sot vazhdon të mbajë distancën e rekomanduar.
“Kur u konfirmua rasti i parë në Kosovë me Covid -19, pra 13.03.2020, unë isha kujdestar dhe pavarësisht se unë isha i pajisur me gjitha masat mbrojtëse, por pasi virusi ishte i panjohur, unë mora vendim në mirëkuptimin edhe të bashkëshortes sime që për çdo siguri të mos qëndrojmë bashkë 14 ditë nga dita e parë, sipas rekomandimeve të OBSH-së, që periudha e inkubacionit me sëmundjen mund të jetë 2-14 ditë! Pas 15 dite unë jam bashkuar me familjen, por prapë vazhdojmë ta kemi një distancë sociale minimale të mundshme edhe në shtëpi”, tregon Havolli.
I pyetur për gjendjen e pacientëve të shtrirë në Kliniken Infektive, Havolli thotë se në përgjithësi është shumë e mire, përjashtuar disa raste që janë në gjendje më të rëndë.
“Falë Zotit dhe përkushtimit të gjithë profesionistëve që i posedon Klinika Infektive si staf dhe menaxhment gjendja e pacientëve është shumë e mirë, në përjashtim të disa rasteve që vazhdojnë të kenë gjendjen e rëndë, pasi përveç virusit kanë edhe plot sëmundje tjera shoqëruese sipas ekspertëve, infektologëve të Klinikes Infektive”, thotë ai.
“Thirrja e ime është të vazhdojnë të ikin nga ky virus duke qëndruar në shtëpi, duke mbajtur higjienën personale dhe duke respektuar gjitha masat e marra nga institucionet përgjegjëse, IKSHP, dhe institucioneve tjera shtetërore. Përderisa ne kemi hyrë në muajin e dytë nga dita e parë dhe situata mund të eskaloj nga kontrolli, duhet të sakrifikohet lëvizja e lirë nga vetë ata, që edhe neve ekspertëve dhe profesionistëve shëndetësor të na mundësojnë të ju ndihmojmë më shumë gjithë atyre që kanë pasur fatin e keq të prekën nga coronavirusi. Ne bashkë më ju familjar e qytetarë të nderuar, për një muaj ja kemi thyerë këmbët virusit, nëse vazhdoni t’i respektoni masat strikte, qëndrimin në shtëpi, ne do ja shkulim edhe kokën virusitfamkeq dhe do i japim fund këtij izolimi shoqëror, ekonomik, kolturor, sportiv etj!”, thotë Havolli.







