Flet banori i cili e lajmëroi i pari rastin e djegies së shtëpisë ku humbi jetën i riu nga Lloqani i Deçanit

Një ngjarje tragjike ka ndodhur sot në fshatin Lloqan të Deçanit, ku një i ri është djegur brenda shtëpisë në të cilën ndodhej.

Mentor Himaj është gjendur i djegur nga ekipet e zjarrëfikësve, ndërsa në vendnngjarje më pas kanë dalë edhe njësitet kompetente dhe Prokurori i shtetit.

Mirëpo, i pari që i lajmëroi ekipet emergjente ishte banori i fshatit Lloqan F.S ( emër i njohur për redaksinë ), i cili duke shkuar në punë kishte parë shtëpinë e viktimës duke u djegur.

Ai për Gazetën Demos ka rrëfyer edhe momentin ku e pa shtëpinë duke u djegur.

“Une jam personi qe kam lajmeru fillimisht numrin emergjent 112 ne ora 5:55 mengjes per rastin e djegjes se nje shtepie ne lloqan, pastaj ne ora 6:15 kam qene prap personalisht ne stacionin policor ne deqan ku i kam ba lutje zyrtarit policor qe kam taku aty qe dergone nji ekip ne kete fshat kete lagje se ka pas shum tym”, ka rrëfyer banori i fshatit Lloqan.

Sipas banorit, edhe reagimi i ekipeve të zjarrëfikësve ka qenë shumë i shpejtë.

“Pas ores 8:40 kam dhene deklarat me shkrim ne policin e deqanit, ndersa afersisht ka qen ora 6:10 ose 6:15 kur une para se te ndalem ne stacionin policor kam pa automjetet e zjarrefiksave qe kan shku ne drejtim te fshatit”, ka përfunduar ai.

Gazeta Demos merr vesh nga burimet e veta, se i riu nga Deçani humbi jetën tragjikisht, pasi zjarri e ka kapluar shtëpinë e tij, në orët e hershme të mëngjesit, sipas burimeve dyshohet se zjarri është shkaktuar nga rryma.