Flasin partitë politike: Në shkurt zgjedhje, nëse s’ka pajtueshmëri për presidentin

Partitë politike në vend kanë shprehur pajtueshmëri për organizimin e zgjedhjeve brenda muajit shkurt, nëse nuk ka konsensus lidhur me postin e presidentit.

Në partitë që e përbëjnë koalicionin qeverisës, LDK dhe AAK thonë se nëse nuk ka konsensus gjatë këtij muaji dhe fillim të muajit janar, atëherë data e fundit për organizimin e zgjedhjeve është fundi i muajit shkurt. Madje në AAK pajtohen për cilëndo datë për zgjedhje. E në Lëvizjen Vetëvendosje thonë se sa më shpejtë që mbahen zgjedhjet do të jetë aq më mirë për vendin. Ndërsa në PDK-në nuk shprehin se kanë ndonjë muaj të përshtatshëm për zgjedhje, teksa edhe shpresojnë për arritjen e një konsensusi për zgjedhjen e presidentit.

Deputeti i LDK-së, Shkëmb Manaj tregon arsyen pse fundi i muajit shkurt është data e fundit për organizimin e zgjedhjeve, nëse s’ka pajtueshmëri për presidentin.

Manaj: Data e fundit kur vendi do të duhej të shkonte në zgjedhje është fundi i muajit shkurt

“Nëse ne nuk arrijmë konsensus gjatë këtij muaji dhe në fillim të muajit janar, unë mendoj që data e fundit kur vendi do të duhej të shkonte në zgjedhje është fundi i muajit shkurt. Ne duhet të kemi parasysh që duhet të zhvillohet një proces zgjedhor, dhe pas procesin zgjedhor është procesi i certifikimit të rezultateve, konstituimi i Kuvendnit të Republikës, pastaj zgjedhja e qeverisë, e që mendoj do të marrë kohë të caktuar. Ne duhet të garantojmë se Kuvendi i republikës duhet të konstitutohet brenda muajit prill dhe eventualisht brenda datës 5 maj ne duhet të zgjedhim presidentit e republikës”, deklaron ai.

E të palëkundur për çështjen e presidentit, shprehen nga partia e Ramush Haradinajt, i cili edhe ka shprehur kandidaturën për president.

Deputeti, Pal Lekaj thotë se për kandidaturën e Haradinajt nuk bëjnë kompromise, derisa thekson se AAK pajtohet për çfarëdo date që të caktohet për zgjedhje.

Lekaj: Për presidentin nuk kemi kompromis, çfarëdo date për zgjedhje AAK pajtohet

“Aleanca e ka propozuar kandidatin për president, zotëri Haradinaj, këtë drejtim ne nuk kemi kompromise. Tani lindin dy pyetje, a dëshirojmë të kemi një president që me afate kushteutese ky të zgjidhet, apo duam të shkojmë në zgjedhje…Çfarëdo date që të caktojnë nëse nuk zgjidhet presidenti, Aleanca pajtohet”, thotë Lekaj.

Mbajtjen e zgjedhje sa më të shpejtë për kërkon deputeti i LVV-së, Dimal Basha, i cili për KosovaPress, thotë se sa më herët që ato mbahen, aq më mirë do të jetë për vendin.

Basha: Nuk është që kemi zgjedh një muaj të favorshëm, aq më herët që të mbahen zgjedhjet, aq më mirë

“Ne si Lëvizje nuk është që kemi zgjedh një muaj të favorshëm, aq më herët që të mbahen zgjedhjet, aq më mirë. Çdo vonesë neve po na kushton me një qeverisje të keqe, që po iu kushton qytetarëve me miliona euro, kështu që rrjedhimisht aq më herët që mbahen zgjedhjet aq më mirë për vendin dhe aq më shpejtë iu ikim krizave të tjera institucionale”, thotë ai.

Ndërkaq, deputetja nga radhët e PDK-së, Evgjeni Thaçi-Dragusha thotë se duhet të shteren të gjitha mundësitë për postin e presidentit.

Thaçi-Dragusha: Nuk mund të kalkuloj me data, por duhet të kemi një konsensus nacional për presidentin

“Duhet të shterën të gjitha mundësitë që pozita e presidentit të mos bëhet lojë dhe mos luhet me këtë institucion kaq të rëndësishëm. Duhet të jetë fuqia e koalicionit më së pari që t’i vejë gjërat në lëvizje, nuk mund të kërkohet nga të tjerët dhe të fajësohen të tjerët, por vet koalicioni qeverisës duhet të gjejë zgjidhje. Mandej mendoj që duhet të kemi një konsensus nacional dhe të shikohet përtej qëllimeve personale dhe grupore në mënyrë që çështja e presidentit mos të shërbejë për qëllime që dikush të vijë në pushtet, ose të rrëzohet nga pushteti…nuk mund të kalkuloj aspak as me data, as me afat, mbetet që të shihet”, deklaron deputetja Thaçi-Dragusha.

Partitë politike në vend ende nuk kanë zhvilluar asnjë takim për të diskutuar për postin e presidentit. Derisa po bëhen rreth dy muaj që në krye të vendit si ushtruese detyre e presidentes është Vjosa Osmani.