Flasin nga OVL-UÇK: E përgëzojmë PSD-në për aktivitetin, policia u ngut me reagimin

Gjatë ditës së hënë, kryetari i PSD-së, Dardan Mulliqaj dhe anëtarët e tjerë të partisë kanë protestuar duke fishkëllyer tek konferenca e kryetares së Speciales, Ekatarina Trendafilova.

Përgjatë aksionit simbolik jashtë konferencës për media, Policia e Kosovës përdori dhunë të madhe ndaj Dardan Molliqajt dhe aktivistëve të tjerë, duke i lënduar gjatë arrestimit.

E ndërkohë ky lloj aksioni i Policisë së Kosovës, ka marrë kritika të shumta, duke u cilësuar si reagim i tepruar, shkruan lajmi.net.

Kryetari në detyrë i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku, ka folur për ngjarjet e djeshme.

Klinaku për lajmi.net, aksionin e PSD-së e konsideron shumë paqësor dhe shumë të rëndësishëm sa i përket mbrojtjes së luftës çlirimtare të UÇK-së.

“I përgëzoj për kreativitetin”, tha për lajmi.net Klinaku.

Për Klinakun, reagimi i Policisë së Kosovës ishte i tepruar dhe jo i duhur, pasi sipas tij aksioni ishte shumë paqësor dhe në nivel.

“Policia e Kosovës u ngut, aksioni i tyre ishte i tepërt dhe nuk ishte nevoja të ndërhyej në atë mënyrë se aksioni i PSD-së ishte shumë në nivel dhe i qetë”, shtoi ndër të tjera kryetari në detyrë i OVL-së.

Molliqaj dhe aktivistë të tjerë u liruan me procedurë të rregullt të hënën pasdite.