Flasin nga kabineti i kryetarit Haskuka, tregojnë se a pati ftesë ministri Veliu apo u injorua

Ministria e Administratës Publike, tashmë e integruar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ka investuar mbi 1 milionë euro në hapjen e ‘Qendrës për Shërbim të Qytetarëve’, projekt ky modern ku të gjitha shërbimet administrative ofrohen në një pikë të vetme. Kjo qendër është përuruar sot nga kryetari i Prizrenit Mytaher Haskuka dhe kryeministri Albin Kurti, mirëpo nuk është ftuar ministri Agim Veliu, ministri kjo që investoi të gjithë projektin.

Lajmin  e ka konfirmuar edhe shefja e Kabinetit të ministrit Veliu, Gentiana Azemi.

Azemi ka deklaruar se ministri Veliu nuk është ftuar nga kryetari Haskuka që ishte organizatori i kësaj ngjarje, ajo ka thënë se mbetet në përgjegjësinë e tyre pse nuk është ftuar ministri Veliu, pasi investimi është përfunduar nga Ministria që ai e udhëheq tani.

Mirëpo ndaj kësaj ka reaguar shefja e kabinetit të kryetarit Mytaher Haskuka, Krenare Koqi.

Ajo ka thënë se ftesa ju është dërguar edhe ministrit Agim Veliu nëpërmjet emailit zyrtar.

“Në lidhje me pyetjen e parashtruar nga ana juaj, ju njoftojmë se në hapjen e Qendrës së Integruar me një Ndalesë ‘’ONE STOP SHOP’, në Administratën Komunale të Prizrenit,  nëpërmjet e-mailit zyrtar është ftuar edhe Ministri i Punëve të Brendshme dhe i Administratës Publike, z.Agim Veliu , sikur që janë ftuar dhe shumë përfaqësues nga ministritë dhe institucionet e ndryshme, që ishin prezent”, ka thënë ajo në një përgjigje për Metron.

Azemi po ashtu ka deklaruar se ky projekt kushtoi rreth 1.1 milion euro, ‘One Stop Shop’, kjo qendër është pilot qendra e parë në Kosovë, ajo për objektivë ka koncentrimin e ofrimit të shërbimeve të administratës publike në një pikë të vetme, duke synuar që në këto qendra, të ofrohen sa më shumë shërbime administrative, të cilat ofrohen nga institucionet e nivelit qendror dhe lokal. Gjithashtu synohet që këto shërbime të ofrohen në mënyrë sa më efikase dhe eficiente, duke eliminuar elementet burokratike.