Flasin Aleatët, ky është kushti që kanë vënë përballë Bashës

Aleatët në koalicionin opozitar, në takimin e zhvilluar pas seancës plenare të enjten, i kanë kërkuar kreut të PD-së, Lulzim Basha, që opozita të mos i rikthehet sërish bojkotit parlamentar.

Burime nga takimi me dyer të mbyllura pranojnë se disa prej krerëve të partive opozitare kanë treguar gjithë gatishmërinë e tyre për të mbështetur përballjen totale me qeverinë, por njëkohësisht kanë kërkuar që të vijohet me betejën institucionale. Kreu i PR-së, Fatmir Mediu, ka sqaruar për mediat se opozita do të përdorë çdo rrugë për t’u përballur me qeverinë.

“Si opozitë, ne kemi rënë dakord që të shfrytëzojmë çdolloj hapësire institucionale apo në marrëdhënie të drejtpërdrejtë me njerëzit për të bërë të mundur largimin sa më parë të kësaj qeverie, për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ne kemi një sistem putinian të organizuar nga Edi Rama, që kontrollon tashmë çdo gjë. Jo vetëm ka shkatërruar Partinë Socialiste dhe e dhunon atë, ka shkatërruar dhe dhunuar çdo deputet, por tenton që tashmë çdo gjë ta kthejë në shërbim të interesave të tij personale”, deklaroi Mediu.

Edhe kreu i LZHK-së, Dashmamir Shehi, ka theksuar se përballje me qeverinë duhet bërë me të gjitha format, duke nisur nga protesta që pritet të mbahet javën e ardhshme.

“Protesta do të zhvillohet brenda janarit. Ajo do të jetë një protestë që do të zgjasë në ekstreme, deri në rrëzimin e zotit Rama”, ka deklaruar Shehi. Por krahas përballjes me qeverinë, aleatët e Bashës po punojnë për zgjedhjet vendore. Kur bëhet fjalë për reformën zgjedhore, aleatët nuk i fshehin rezervat, të cilat, nëse do të thellohen, pritet të shkaktojnë edhe “divorce” brenda kampit opozitar.

Kreu i PAA-së, Agron Duka, ka deklaruar hapur se nëse nuk do të ndryshojë Kodi Zgjedhor, forca e tij politike mund të dalë e vetme në zgjedhje.

“Kodi zgjedhor dhe Reforma Zgjedhore nuk ndryshojnë për shkak të interesave personale të kryetarëve të partive të mëdha. Dhe kjo na penalizon dhe ne nuk mund të vazhdojmë të bëjmë sikur nuk shohim e të mbështesim interesat personale të partive të mëdha”, ka deklaruar Duka, ndërkohë që qëndrim të njëjtë kanë shprehur edhe Ndoka, edhe Shehi.

I kontaktuar nga “Panorama”, Duka nuk përjashton mundësinë e krijimit të një poli të ri brenda opozitës, por thekson se gjithçka do të vijë në kohën e vet.

“Sigurisht që mundësitë për të bashkëpunuar në zgjedhje janë. Është ende herët për të vendosur nëse në zgjedhje do të dalim me kandidatët tanë apo me përfaqësues të përbashkët opozitarë. Është mundësia për bashkëpunim mes nesh, por çdo gjë në kohën e vet”, sqaron Duka për “Panorama”.