Flamur Noka kundër Lulzim Bashës: Përjashtimi i Sali Berishës, mohim i historisë së PD

Flamur Noka e konsideron vendimin e Lulzim Bashës për të përjashtuar nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, Sali Berishën, një vendim që mohon historinë e vetë kësaj force politike, parimet mbi të cilat është themeluar.

Në prononcimin që pati për gazetarët pas mbledhjes së PD-së, Noka theksoi se ky është një vendim individual i Bashës dhe arsyet përse e ka marrë i di vetë ai.

“Sali Berisha është njeriu më pro amerikan i 30 viteve të fundit të demokracisë. Sali Berisha themeloi PD, u ngrit kundër regjimit me ëndrrën amerikane në shpirtin e tij mbi vlerat dhe parimet e demokracisë amerikane u themelua PD. Jetoi për 30 vjet me këto parime dhe mbi këto vlera e bazuar. Busulla ka qenë një dhe një, e Sali Berishës dhe e PD: Orientimi euroatlantik, ëndrra amerikane për shqiptarët. Në lidhje me vendimin e sekretarit Blinken, Sali Berisha ka marrë një qëndrim, një vendim të tijin dhe po ecën në atë drejtim. Ka kërkuar që të mos përfshihet PD në betejën e tij për dinjitet. Por përjashtimi i Sali Berishës është mohim i historisë së PD, është mohim i parimeve mbi të cilat është themeluar kjo forcë, është të mohosh suksesin e kësaj force, sepse nën drejtimin e Sali Berishës kjo forcë ka pasur sukses. Arsyet përse e ka marrë, kryetari i di vetë, është vendim individual i Kryetarit”./tvklan.al/