Fjalimi i Shaip Kamberit në Kuvendin e Serbisë, ky është reagimi i Vuçiqit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sot i është përgjigjur deputetit shqiptar, Shaip Kamberi, për fjalimin e javës së kaluar në parlamentin serb, gjatë të cilit akuzoi drejtuesit e shtetit atje për krimet e viteve ’90-ta dhe për autoritarizëm në politikëbërjen e ditëve të sotme.

Në një konferencë për media që e ka mbajtur të hënën, Vuçiq, që kontrollon shumicën e mediave në Serbi, si duket me porosi ka marrë një pyetje rreth kësaj teme nga gazetarët. Shihej që Vuçiq kishte përgatitur enkas një përgjigje.

Ai fillimisht ka provuar ta diskreditojë Kamberin, duke thënë se është me dekada në pushtet në Bujanoc, e më pas ka thënë se është gëzuar që ka arritur sukses politik me një fjalim.

“Sa i përket pyetjes tuaj dhe raportit ndaj zotit Kamberi, unë jam shumë i lumtur që është lajmëruar njeriu që në mënyra të ndryshme është në pushtet ndoshta me decenie. Kjo nuk është totalitarizëm, por ndoshta është një demokraci e çuditshme”, ka thënë shefi i shtetit serb.

Duke folur për Kamberin ai ka goditur edhe kundërshtarët e tij politikë, duke thënë se Kamberi gëzon përkrahje më shumë se ata.

“U gëzova që në mënyrë aktive u inkuadrua në punën e Kuvendit dhe më gëzoi fakti që arriti të krijojë shumë simpati dhe qysh sot ka numër më të madh të simpatizantëve sesa disa që mendojnë se mund ta rrëzojnë pushtetin për një ditë në çfarëdo mënyre, kështu që e uroj z. Kamberin për këtë sukses serioz politik”, ka thënë ai.

Më pas Vuçiq ka provuar ta kthejë këtë në avantazh për shtetin serb, duke theksuar se fjalimi i Kamberit tregon se në Serbi mund të flitet gjithçka pavarësisht se kjo nuk është e vërtetë, pasi Vuçiq kontrollon pothuajse gjithçka në shtetin e tij. Sipas tij, serbët në Kosovë kur flasin gjëra të tilla arrestohen.

Dhe këtë e ka ilustruar me mohimin e masakrës së Reçakut, të cilën Serbia e konsideron inskenim e jo masakër kundër civilëve shqiptarë, siç e cilëson e gjithë bota.

“Do të kisha dashur që për krime ndaj serbëve të mund të diskutohej edhe në parlamente tjera, ju tash më pyetët për Parlamentin e Kosovës. Unë jam i lumtur që kemi serbë trima që luftojnë për popullin e tyre, por ata nuk mund të thonë gjëra që i tha këtu Shaip Kamberi, për arsyen se kur ata thonë se në Reçak gjithçka ka qenë e inskenuar, atëherë dënohen me dënime me burg, sikur rasti i Ivan Todosijevic, që është shpallur fajtor vetëm pse e ka thënë këtë që e kam thënë edhe unë”, ka thënë presidenti serb.

Në fund, Vuçiq ka thënë se e inkurajon Kamberin “të flasë dhe të tregojmë se në Serbi mund të thuhet mendimi ndryshe”.