Fjala ‘Google’ është më e kërkuara në motorin e kërkimit Bing të Microsoft

Fjala më e kërkuar në motorin e kërkimit të Bing nga Microsoft është Google, ka deklaruar Google.

Sipas BBC, pretendimi u bë në gjykatë, pasi Google bëri kërkesën e tij për të apeluar kundër një gjobe prej 4.3 miliardë eurosh nga Bashkimi Evropian për abuzim me fuqinë e saj në treg.

BE-ja akuzoi Google kinse kjo kompani ka përdorur suksesin e Android në tregun e smartfonave për ta bërë Google motorin e paracaktuar të kërkimit.

Por Google iu është kundërpërgjigjur se shërbimi i tij është më i njohuri.

“Ne kemi paraqitur dëshmi që tregojnë se pyetja më e zakonshme e kërkimit në Bing është deri tani, ‘Google’”, tha avokati Alfonso Lamadrid në Gjykatën e Përgjithshme të BE-së.

“Njerëzit e përdorin Google sepse e zgjedhin atë, jo sepse janë të detyruar ta përdorin”, ka shtuar ai.