Fituesi nuk i tërhoqi 72 mijë eurot në Lotarinë e Kosovës, ja çfarë ndodhi me paratë

Lotaria e Kosovës ka njoftuar se më 22 dhjetor të vitit të shkuar ka pasur një fitues me Joker 6 në shumë prej 72 mijë e 803 eurosh, por se ky fitues nuk i kishte tërhequr fitimet në afatin kohor prej 60 ditësh, siç parashihet me ligj.

Si rrjedhojë, Lotaria e Kosovës ka marrë vendim që shuma t’u kthehet pjesëmarrësve të Lotarisë duke u bartur në fondin e fitimit për lojërat Loto dhe Joker.

“Përmes këtij njoftimi Lotaria e Kosovës dëshiron të njoftoj publikun dhe pjesëmarrësit në lojërat e fatit se në lojën Joker, xhiro 102 e luajtur më 22 dhjetor 2018, ka pasur një fitues me Joker 6 në shumë prej 72,803.42 Euro. Siç parashihet me Ligjin për lojërat e fatit, neni 17 paragrafi 11 ; tërheqja e fitimeve duhet të bëhet në afat kohor prej gjashtëdhjetë (60) ditësh nga data e shpalljes së fituesit. Në rastin e lartpërmendur, fituesi nuk është paraqitur që të bëjë tërheqjen e shumës së fituar dhe afati kohor prej gjashtëdhjetë (60) ditësh ka kaluar. Lotaria e Kosovës ka vepruar në bazë të Ligjit për lojërat e fatit, bazuar në nenin 17, paragrafi 22 dhe 33 dhe Komisioni i caktuar për këtë rast ka marrë vendim që shuma e lartcekur të ju kthehet pjesëmarrësve të Lotarisë së Kosovës duke u bartur në fondin e fitimit për lojërat Loto dhe Joker”, thuhet në njoftim.