Fitore Pacolli vendos çarshafin në penthous’in e saj: Zgjedhjet të mbahen në qershor

Deputetja e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli ka vendosur një çarshaf në ballkonin e ‘penthouse’ ku banon në Prishtinë, me mbishkrimin “Zgjedhje në qershor”.

Pacolli nga kati i fundit i banesës ku banon, ka thënë se po i bashkohet kërkesës së qytetarëve për zgjedhje të reja.

Ajo ka kërkuar edhe nga qytetarët tjerë që t’i bashkohen kësaj nisme për të vendosur çarshafë të tillë.

“Edhe unë po i bashkohem kërkesës së qytetarëve me çarshafe nëpër ballkone për zgjedhje në qershor.Zgjedhje sepse vullneti i qytetarëve për ndryshim nuk tjetërsohet.Vendos edhe ti një çarshaf, trego vullnetin tënd për zgjedhje të reja e jo vjedhje”, ka shkruar ajo.

Lëvizja Vetëvendosje po kërkon zgjedhje të reja pas rrëzimit të qeverisë së kryesuar nga kjo parti në mars të këtij viti, por partitë tjera janë kundër kësaj.