Fitore Pacolli tenton t’i mësoi mediat se si të raportojnë, në ditën kur bashkëpartiaku i saj emëron serbin zëvendës të tij

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, së bashku me kryetarët e komunave Alban Hyseni, Qemajl Aliu e Kadri Rahimaj, po marrin pjesë në një konferencë në Spanjë.

Por ajo përmes llogarisë së saj në “Facebook” është shprehur e pakënaqur me mediat pse nuk e kanë pasqyruar këtë vizitë të tyre.

Deputetja Pacolli ka renditur disa pika, ku sipas saj, portalet është dashur t’i pasqyrojnë.

E në ditën kur Pacolli i ka mësuar mediat se si të raportojnë, është publikuar lajmi se bashkëpartiaku i saj, Kadri Rahimaj, kryetar i Kamenicës, me të cilin është në vizitë ajo në Spanjë, e ka emëruar Dalibor Filipoviqin, nënkryetar të komunës.

Filipoviq ka qenë mbëshetës i Aleksandar Jabllonoviqit kur ky i fundit ishte ministër dhe i pat fyer nënat gjakovare, shkruan Demokracia.com.

Postimi i plotë i Fitore Pacollit:

Bravo! Kështu informohet publiku në Kosovë 🤦‍♀️

Për portalet që tentojnë ta luajnë rolin e opozitës e jo atë që iu takon, pra të informimit të drejtë.

Të nderuara portale,

  1. Jemi delegacioni i parë nga Kosova që po marrim pjesë në një konferencë në Spanjë.
  2. Po prezantohemi njëlloj si ata nga Gjermania e Franca edhe ne nga Kosova.
  3. Sot arritëm të bisedojmë me Kryetarin e Valencias, me deputetë të nivelit rajonal e me përfaqësues të të gjelbërve në Spanjë.
  4. Kryetarët Alban S. Hyseni, Qemajl Aliu e Kadri Rahimaj, janë kryetarët e parë nga Kosova që prezantojnë suksesin e tyre në zgjedhjet lokale, luftimin e korrupsionit në nivel lokal dhe politikat për tranzicionin e gjelbër në qytetet që udhëheqin.
  5. U inicuan hapat për fillimin e bashkëpunimit me disa qytete evropiane.
  6. Morëm mbështetje nga Kryetari i Valencias, Joan Ribo, përfaqësuesit e të gjelbërve spanjollë, deputetja austriake në Parlamentit Evropian, Monika Vana, të gjelbërit nga Britania e Madhe, Irlanda, Kroacia, Sllovenia, Gjermania, Finlanda, etj në thirrjen tonë që Spanja ta njoh Kosovën.

…dhe u prezantuam pa fusnotë edhe atë në Spanjë.

E gjithë kjo me asnjë cent shpenzim nga buxheti i shtetit.

Kështu do të duhej ta informoni publikun.