Fiton Gjilani, barazim në Drenicë

Gjilani e ka mposhtur Dukagjinin, në ndeshjen e zhvilluar sot në kuadër të xhiros së nëntë të IPKO Superligës së Kosovës në futboll.

Golin e fitores për gjilanasit e ka shënuar Tomislav Busiç në minutën e fundit të pjesës së parë.

Kjo fitore e ngrit Gjilanin në pozitën e dytë me 18 pikë, dy më pak se lideri, Ballkani dhe me pikë të njëjta me rivalin e qytetit, Drita.

Kjo e fundit barazoi sot me Drenicën në udhëtim me rezultat 1:1.

Bardhekaltrit kanë kaluar të parët në epërsi në minutën e 38-të me anë të Gilberto Fortunatos.

Mirëpo, Kuqezinjtë barazuan në fund me Diar Prokshin, i cili shënoi gol spektakolar.

Me këtë rast, Drita e lëshoi një mundësi të mirë për ta barazuar me pikë Ballkanin.

Paraprakisht ishin zhvilluar edhe katër ndeshje të tjera në kuadër të kësaj xhiroje.

Ferizaj e ka mposhtur Llapin në udhëtim, 4:2. Kurse, dje janë zhvilluar edhe tri ndeshje të tjera.

Ballkani e mundi Prishtinën me rezultat minimal, 1:0 për ta marrë kreun e tabelës.

Trepça ’89 barazoi me Feronikelin 1:1, kurse Vushtrria dhe Flamurtari po ashtu i ndanë pikët, 2:2.