Fiton 80 milionë në Lotari dhe ndahet nga e shoqja, gjykata: Gjysma i takon gruas

Një burrë i cili kishte fituar 80 milionë dollarë në Lotarinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pikërisht teksa ishte në proces divorci, do të duhet që gjysmën e parave t’ia japë gruas. Kjo me vendim gjykate!

Gjyqtari tha se Richard Anthony Zelasko, 50 vjeç, duhet ta ndajë fitimin me ish-gruan e tij Mary Elizabeth, 48 vjeçe, pasi pretendohet se paratë ishin pjesë e “pasurisë bashkëshortore”.

Çifti amerikan nga Pontiac, në Michigan, u martua në vitin 2007, por gruaja vendosi që të ndahen, duke kërkuar divorcin në shtator të vitit 2011, siç tregojnë dokumentet në gjykatë.

Dy vite pas kësaj kërkese, Zelasko fitoi shumën e majmë në lojën Mega Millions.

Edhe pse çifti ishte ndarë faktikisht dhe nuk jetonin bashkë në momentin e blerjes së biletës, gjyqtari vendosi që shuma të ndahet pasi duke qenë se divorci nuk kishte përfunduar edhe paratë ishin të përbashkëta, ashtu sikundër ai kishte blerë edhe më parë bileta me paratë e përbashkëta.

“Është e vërtetë që i pandehuri shpenzoi 1 dollar për të blerë biletën fituese, por ky dollarë mund të jetë fyt i të ardhurave bashkëshortore dhe si investim i përbashkët duhet ndarë”, tha gjyqtari.

Kjo pasi rezulton se gjatë martesës gruaja Mary Elizabeth ka fituar mesatarisht 120 mijë dollarë në vit, si përgjegjëse për kompaninë publicitare ‘Conde Nast’, ndërsa Zelasko rreth 36 mijë dollarë në vit. Po ashtu me dokumente u provua se burri nuk ka kontribuar me paratë e tij në kujdesin e tre fëmijëve.