Fiorentina i ofron rinovimin Chiesas

Babaiw i Federico Chiesës, ish sulmuesi i mirënjohur Enrico Chiesa ishte dje në një takim me presidentin e Fiorentinës Rocco Commisso, teksa në qendër të bisedimeve ka qenë pikërisht e ardhmja e talentit vjollcë.

Enrico Chiesa është edhe menaxheri i të birit, që pasi nuk u lejua të largohej këtë verë, duket se këtë sezon nuk e ka nisur me të njëjtin ritëm si një vit më parë dhe në javën e fundit u la në stol nga Vincenzo Montella.

Burime pranë klubit vjollcë zbulojnë se në takimin mes babait të Chiesës dhe presidentit Commisso, është diskutuar rinovimi i sulmuesit, tani me një pagë prej rreth 4 milionë eurosh në sezon, shifër kjo mjaft e lartë për një klub si Fiore.

Megjithatë kushti i drejtuesve vjollcë është që në kontratën e re të përfshihet edhe një klauzolë prej 80-100 milionë eurosh, gjë që ka vënë në dyshime babë e bir të familjes Chiesa, ndaj vetëm në ditët në vijim do të kuptohet nëse do të rinovohet apo do të kemi një divorc verën e ardhshme.