Finalizohet pazari i kërkimfaljes, Serbia ia dhuron Çekisë 100 mijë vaksina

Një aeroplan me 100,620 doza të vaksinave Pfizer u dërgua sot nga Serbia për në Republikën Çeke. Kjo vjen pak ditë pasi presidenti i Çekisë, Millosh Zeman i kërkoi falje Serbisë për bombardimet e NATO-s më 1999 që parandaluan gjenocidin në Kosovë.

Ambasadori çek në Serbi, Tomash Kuhta ishte në aeroport me kryeministren serbe, Ana Bërnabiq. Ai iu drejtua mediave duke thënë se sot është një ditë e shkëlqyeshme për marrëdhëniet reciproke midis Republikës Çeke dhe Serbisë.

“Serbia gjithmonë ka qenë partneri ynë, gjithmonë ka qenë afër nesh dhe në momentet kur kemi qenë të sëmurë dhe sot kemi përsëri prova se jeni një popull vëllazëror. Këtë e ndiejnë qytetarët e Republikës Çeke, dhe shpresoj që edhe ata të Serbisë. Ky donacion është një dhuratë e madhe, e shkëlqyeshme”, tha Kuhta.

Ai shtoi se nuk ka vaksina të mjaftueshme në Republikën Çeke, se ata kanë kapacitete, por jo vaksina.

“Ndihma vjen në një kohë kur shumë njerëz duan të vaksinohen para pushimeve verore në mënyrë që të gjithë të ndihen të sigurt dhe të vazhdojnë një jetë normale”, tha Kuhta.

“Nuk mendoj se do ta harrojmë ndonjëherë këtë gjest bujar dhe këtë miqësi”, tha ai

Ai gjithashtu tha se shpreson që Serbia dhe Republika Çeke të vazhdojnë bashkëpunimin miqësor dhe vuri në dukje raportet e mira personale midis presidentëve të Serbisë dhe Republikës Çeke.