Fillon propaganda antishqiptare e Petkoviqit: Jovanoviqin e ka plagosur Policia e Kosovës

Drejtori i zyrës serbe për propagandë kundër Kosovës, Petar Petkoviq, ka dënuar sulmin ndaj Millan Jovanoviqit, i cili mbrëmë ka pësuar një plagë me armë zjarri në urën e Bistricës, dhe ka shtuar se “është qëlluar nga Policia e Kosovës”, por që siç pretendon ai, “ata sigurisht që do ta mohojë këtë”.

“Fjala është për një njeri familjar, i cili ka tre fëmijë, një shofer taksie, në atë postbllokun “plotësisht ilegal” afër urës së Bistricës, Policia e Kosovës çdo ditë ndalon serbët dhe i ngacmon ata, e kemi thënë vazhdimisht se nuk kanë të drejtë të jenë në veri të Kosovës, sepse është në kundërshtim me të gjitha marrëveshjet, por Albin Kurtit dhe Prishtinës kjo nuk iu intereson, i shkelin të gjitha marrëveshjet, me provokime shtesë po mundohen të shkaktojnë ndonjë reagim të papërshtatshëm të serbëve ndaj Kosovës, sepse me sa duket tensionet dhe kriza sot i nevojiten vetëm Prishtinës, sepse kjo është mënyra e vetme për të shmangur formimin e Asociacionit”, ka pretenduar Petkoviq.

“Do ta shihni reagimin e Policisë së Kosovës, ata kanë dy qasje, ose të kriminalizojnë serbët ose të mohojnë akuzat”, ka shtuar Petkoviq.