Fillon gjykimi i separatistëve katalanë

Dymbëdhjetë udhëheqës separatistë të Katalonias janë paraqitur në një gjykatë të Madridit gjatë ditës së sotme për shkak të përpjekjeve për shpallje të pavarësisë së rajonit verilindor të Spanjës. Ky veprim e kishte shkaktuar njërën nga krizat më të mëdha politike të Spanjës në dekadat e fundit.

Qindra protestues ishin mbledhur para Gjykatës Supreme të Spanjës. Disa prej tyre ishin mbështetës të separatistëve, ndërsa grupi tjetër protestonte kundër tyre. Personat e akuzuar po përballen me akuzat për rebelim, nxitje të kryengritjes kundër qeverisë dhe keqpërdorim të fondeve publike. Ata i kanë mohuar të gjitha këto akuza.

Gjatë fjalimit fillestar në seancën e sotme gjyqësore, e cila po transmetohet drejtpërdrejt në televizionet e vendit, njëri nga avokatët e personave të akuzuar ka thënë se të akuzuarit kanë pasur të drejtë ta kërkojnë pavarësinë për rajonin e tyre. “E drejta për vetëvendosje është sinonim i paqes, e jo i luftës”, tha Andreu Van den Eyndehe.

Ky rast gjyqësor, i cili po vlerësohet si rast i motivuar politikisht, pritet të zgjasë të paktën tre muaj dhe vjen në një kohë të rëndësishme për qeverinë spanjolle. Gjasat për zgjedhje të parakohshme janë mjaft të mëdha për shkak të qëndrimit kundërshtues të deputetëve katalanë për buxhetin e propozuar për vitin 2019, shkruan “Reuters”.