Fillon aksioni i policisë për parkimet e ndaluara, 148 gjoba vetëm në ditën e parë

Policia e Kosovës javën e kaluar ka paralajmëruar fillimin e aksionit ndaj automjeteve të parkuara në vendet joadekuate.

Sipas njoftimit, aksioni do të fillojë nga data 10 e këtij muaji.

Në një prononcim për Ballkani.info, zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti, ka thënë se vetëm gjatë ditës së parë të këtij aksioni, janë shqiptuar 148 gjoba për parkime ilegale, kryesisht në qendër të qytetit.

“Implementimi i planit operativ, i paraparë për lirimin e trotuareve nga parkimet e ndaluara, ka filluar sot nga ora 08:00. Që nga fillimi i implementimit dhe deri më tani janë shqiptuar 148 gjoba për parkime ilegale, kryesisht në qendër të qytetit. Duke ju rikujtuar se qëllimi ynë nuk është ndëshkimi, apelojmë te të gjithë drejtuesit e automjeteve që të zbatojnë me përpikmëri normat dhe rregullat e Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor”, ka thënë Ahmeti.

Në fund, ajo ka bërë të ditur se plani operativ është duke vazhduar. /Ballkani.info