Dardan Selimaj, koordinator dhe menaxher në Filharmoninë e Kosovës ka reaguar lidhur me lajmin e publikuar në lajmi.net “Drejtori i Filharmonisë rezulton pozitiv me COVID-19, dyshohet se kishe kontakt me rreth 100 persona”. Mirëpo, 100 anëtarët e Filhamonisë janë informuar zyrtarisht se drejtori është infektuar me koronavirus vetëm pas raportimit të lajmi.net.

Lajmi.net njofton lexuesit se është kontaktuar me personin kompetent për të pyetur lidhur me këtë çështje drejtorin Baki Jashari, mirëpo posa e kuptoi se për çka është thirr e ka mbyllur telefonin.

Sa për t’ia kujtuat Selmanajt, i cili në pjesën me të madhe të reagimit flet se mediat nuk i përcjellin aktivitetet e këtij institucioni, mediat kanë të drejt të raportojnë përmes burimeve- që i mbron edhe ligji.

Ne i referohemi sërish burimeve të sigurta brenda Filharmonisë, se drejtori ka mbajtur më 26.06.2020 prova me rreth 100 pjesëtarët e Filharmonisë, ku me pas, siç thekson edhe Selmanaj, janë ndërprerë edhe aktivitetet. Pasi janë ndërprerë aktivitetet 100 anëtarëve i është bërë thirrje të lajmërohen nëse kanë simptoma të COVID-19 duke aluduar për dyshimet se Jashari është i prekur nga virusi.

“Kjo ka ndodhur qysh të premten (26.06.2020) kur drejtorit të Filharmonisë ende pa iu komunikuar lajmi, vetëm përshkak të dyshimeve, me urdhër të tij është ndërprerë i gjithë aktiviteti i Filharmonisë për dy javët e ardhshme”, konfirmon edhe Selmanaj.

Atëherë, si mund të jetë një lajm gjysmak e tendencioz kur nuk ka asnjë të pavërtetë brenda artikullit?

Dhe, si mund të njoftohen anëtarët e këtij institucioni vetëm pasi lajmi doli në media?

Lajmi.net i dëshiron shërim sa me të shpejt Jasharit dhe uron që rastet me COVID-19 në këtë institucion të mos rriten.

Reagimi i plotë i Filharmonisë pa ndërhyrje:

Fillimisht me lejoni t’ju prezantohem. Jam Dardan Selimaj – koordinator dhe menaxher në Filharmoninë e Kosovës. Po ju drejtohem në lidhje me një artikull të botuar në lajmi.net. Ju keni publikuar një shkrim me titull “Drejtori i Filharmonisë rezulton pozitiv me COVID-19, dyshohet se kishe (kishte) kontakt me rreth 100 persona” – publikuar më 28.06.2020 në orën 17:31. Në këtë artikull ju i referoheni burimeve të sigurta të lajmi.net. Ju përgëzojë për burimet por më duhet t’ju lajmërojë dhe ua tërheq vërejtjen se burimi nuk ua paska përcjellë informacionin e plotë. Për rrjedhojë e keni publikuar një lajm gjysmak, tendencioz, me vetëm një burim dhe për fat të keq si i tillë është shpërndarë në armatën e mediave të tjera të cilat nuk e kanë problem të publikojnë lajme me vetëm një burim.

Si fillim aktiviteti i Filharmonisë së Kosovës, të cilin ju nuk e  keni përcjellë as edhe një herë të vetme është ndaluar pikërisht përshkak dyshimeve se drejtori i saj mund të jetë prekur nga Covid-19. Kjo ka ndodhur qysh të premten (26.06.2020) kur drejtorit të Filharmonisë ende pa iu komunikuar lajmi, vetëm përshkak të dyshimeve, me urdhër të tij është ndërprerë i gjithë aktiviteti i Filharmonisë për dy javët e ardhshme.

Përndryshe ndihmën mjekësore z. Jashari e ka kërkuar fillimisht në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Prishtinë. Aty nuk i është rekomanduar të bëj testin dhe i izoluar ka marrë terapinë të cilën ia ka përshkruar mjeku. Pasi nuk ka pasur përmirësime, z. Jashari i është drejtuar Klinikës Infektive në QKUK më datë 26.06.2020 në mëngjes. Rezultati i është komunikuar të shtunën në mbrëmje (27.06.2020) derisa i gjithë stafi i Filharmonisë në këtë kohë ka qenë i njoftuar për ndërprerjen e aktivitetit. Për ndërprerjen e aktiviteti janë informuar mbi 100 anëtarë të Filharmonisë së Kosovës dhe Ministrja znj. Vlora Dumoshi.

Ndryshe poqe se do ta kishit përcjellë aktivitetin e Filharmonisë do të ishit në dijeni që më datë 27.06.2020 qe planifikuar incizimi audio i veprave të kompozitorëve shqiptar dhe sot më 28.06.2020 Filharmonia do të mbante koncertin e parë pas lirimit të masave, koncert i cili do xhirohej, pa prezencën e publikut dhe do të transmetohej në faqen zyrtare të Filharmonisë së Kosovës në facebook më datë 2 korrik 2020 në shënim të 30 vjetorit të “2 korrikut”.

Nuk ka arsye që Filharmoni të mbajë të fshehtë një informacion si ky. Për ne ka qenë një vikend i ngarkuar duke anuluar gjithë pjesën organizative për mbajtjen e koncertit. Dhe ta lexojë një artikulli si ky duke punuar në kushte e rrethana në të cilat gjendemi të gjithë është tejet dëshpëruese. Nuk e kuptoj, si mund të publikoni lajmin gjysmak me tendencë nga vetëm një burim pa a kontaktuar asnjë zyrtar të Filharmonisë, apo ju mjafton një burim sepse kaq ka mbetur gazetaria e ditëve të sotme.

Filharmonia e Kosovës i ka të publikuar tre numra telefoni dhe tri e mail adresa në ueb faqen e saj, ka edhe faqen e saj në facebook. Po ashtu është një nga institucionet e kulturës nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, pra pafundësisht mundësi për të marrë një përgjigje zyrtare dhe nga e gjithë kjo ju zgjidhni një burim të cilin as nuk e merrni mundin ta konfirmoni.

Ju kërkojë që lajmin ta përditësoni sepse nuk është i vërtetë dhe është gjysmak.