“Fikeni telefonin çdo ditë për pesë minuta, si pjesë e një mase sigurie kibernetike”

Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese, iu ka thënë banorëve se duhet t’i fikin telefonat e tyre inteligjentë së paku një herë në ditë për pesë minuta në kuadër të një mase të sigurisë kibernetike.

Albanese tha se vendi duhej të ishte vigjilent për të penguar rreziqet kibernetike, pasi njoftoi emërimin e koordinatorit inaugurues kombëtar të sigurisë kibernetike të Australisë, transmeton Telegrafi.

“Duhet të mobilizojmë sektorin privat, duhet të mobilizojmë edhe konsumatorët”, tha kryeministri të premten.

“Ne të gjithë kemi një përgjegjësi. Gjëra të thjeshta, fikeni telefonin çdo natë për pesë minuta. Për njerëzit që e shikojnë këtë, bëjeni atë çdo 24 orë, bëjeni ndërsa jeni duke larë dhëmbët ose çfarëdo që jeni duke bërë”.

Këshillat e qeverisë australiane nuk janë të reja. Në vitin 2020, Agjencia e Sigurisë Kombëtare e Shteteve të Bashkuara lëshoi udhëzime të praktikave më të mira për sigurinë e pajisjeve celulare, të cilat përfshinin fikjen dhe ndezjen e telefonave inteligjentë një herë në javë për të parandaluar hakimet.

Ndonëse, një rindezje çdo ditë mund të duket një masë bazë, ekspertët besojnë se mund të ndihmojë, në disa raste.

Dr. Priyadarsi Nanda është një lektor i lartë në Universitetin e Teknologjisë në Sydney, i specializuar në zhvillimin e sigurisë kibernetike, i cili thotë se fikja dhe ndezja e rregullt e një telefoni mund të minimizojë rrezikun sepse mbyll me forcë çdo aplikacion dhe proces që funksionon në sfond që mund të monitorojë përdoruesit për qëllime të këqija ose të mbledhë të dhëna nga këta përdorues.