FFK-ja dënon dhunën në futboll

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) e ka dënuar dhunën e shfaqur në fushat e futbollit. Në reagimin e FFK-së thuhet se dhuna pa marrë parasysh situatën dhe rrethanat, është e papranueshme dhe se do të marrin të gjitha masat ndaj të gjithë të përfshirëve në këta skena ta pahijshme.

“U bëjmë thirrje edhe organeve të rendit dhe të drejtësisë që të veprojnë në parandalimin dhe ndëshkimin e të gjithë atyre që shfaqin dhunë në fushat e gjelbra. FFK nuk do të lejojë që disa individë të papërgjegjshëm ta dëmtojnë mbarëvajtjen e garave dhe ta prishin imazhin e mirë të futbollit tonë, të cilin e kemi krijuar me shumë mund e djersë. Njëherësh, kërkojmë edhe nga zyrtarët tanë që punën e tyre ta kryejnë me profesionalizëm e përgjegjësi për çka edhe janë të thirrur, teksa nga klubet kërkojmë organizim të mirëfilltë dhe të mos lejojnë që në stadiume të ketë njerëz të tillë të pandërgjegjshëm”, thuhet në reagimin e FFK-së.

Të dielën ndeshja në mes Ferizajt dhe Ulpianë në kuadër të Ligës së Parë nuk gjeti fundit. U ndërpre për sulm ndaj gjyqtarit të ndeshjes, ndërsa përleshje pati edhe në ndeshjet e Ligës së Dytë Fushë Kosova – Vjosa dhe Minatori – Behari.