FFK e ndihmon Maqedoninë për finalen e Kupës me sistemin VAR

Për herë të parë në garat e Maqedonisë së Veriut do të përdoret sistemi VAR dhe ajo impementohet sonte në finalen e Kupës, ku do të përballen Tikveshi dhe Voska Sport.

Federata e Futbollit të Maqedonisë ka marrë leje nga FIFA për përdorimin e video-teknologjisë për shqyrtim të mundshëm të vendimeve të arbitrit dhe në mbledhjen teknike ku kanë marrë pjesë zyrtarët e caktuar për finalen e Kupës së Maqedonisë dhe përfaqësues të ekipeve finaliste u folën të gjitha detajet në lidhje me përdorimin e teknologjisë.

Për të njejtën ka kontribuar Federata e futbollit të Kosovës, e cila ka ndihmuar për të mundësuar implementimin e VAR-it në futbollin e Maqedonisë e veçanarisht në finalen e Kupës që do të luhet sot.

Kjo është arritur falë bashkëpunimit nga të dyja federatat dhe për gjyqtar në VAR do të jetë Visar Kastrati, ndërsa në AVAR është përcaktuar Drilon Rexhepi.

Ndërkohë në fushë, arbitri kryesor i finales së Kupës së Maqedonisë ndërmjet Tikveshit dhe Voska Sport është Aleksandar Stavrev.

Asistentët e tij janë Dejan Kostadinov dhe Kushtrim Lika. Jovan Kaçevski është gjyqtari i katërt.

Ndeshja finale e Kupës së Maqedonisë së Veriut ndërmjet Tikveshit dhe Voska Sport do të luhet sot në stadiumin “Todor Proeski”, duke nisur nga ora 19:00.