Fevziu: Thaçi po akuzohet se zgjodhi të luftojë dhe jo të nënshtrohet, zgjodhi të jetë fitimtar e jo humbës

Gazetari nga Shqipëria, Blendi Fevziu, përmes një postimi në llogarinë e tij në Instagram, ka reaguar ndaj konfirmimit të aktakuzës së presidentit në dorëheqje të Kosovës, Hashim Thaçit.

Fevziu ka reaguar duke postuar një fotografi me ish-presidentin Thaçi. Në mbishkrimin e fotografisë ka thënë se Thaçi po akuzohet se zgjodhi të luftojë dhe jo të nënshtrohet, zgjodhi të jetë fitimtar e jo humbës.

Tutje, Fevziu ka thënë se Thaçi po akuzohet sepse zgjodhi t’i bashkohet UÇK’së dhe të marrë përgjegjësi politike në të dhe nuk po akuzohet si politikan.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Fevziut:

Una kam bindjen, dhe besoj se këtu bashkohen edhe shumica e shqiptarëve, se UÇK dhe shqiptarët s’kanë pasur kurrë një platformë të organizuar për krime kundër njerëzimit. Kundër civilëve të çdo etnije qofshin ata. Në këto 20 vite gjykata të ndryshme ndërkombëtare kanë gjetur përgjegjësi individuale, por asnjëherë një platformë kolektive kriminale të UÇK – së. Besoj dhe shpresoj që edhe këtë herë do të jetë e njëjtë.

Hashim Thaçi nuk po akuzohet as si President i Kosovës, as si ish Kryeministër, as si politikan i mirë apo i keq. Hashim Thaçi po akuzohet se në ditën më të vështirë të vendit të tij zgjodhi ti bashkohet UÇK – së dhe të marrë përgjegjësi politike në të. Zgjodhi të luftojë dhe jo të nënshtrohet. Zgjodhi të ishte fitimtar dhe jo humbës i përjetshëm.