Feronikelin e pret atmosferë armiqësore e proserbe në Sllovaki

Kampioni i Kosovës në futboll, Feronikeli, deri më tash është përballur vetëm me mungesën e përvojës në gara ndërkombëtare.

E në ndeshjen e radhës, të mërkurën në Bratislavë, do të përballet edhe me një rival me shumë më shumë cilësi dhe me një atmosferë që deri më tash nuk e ka përjetuar – armiqësore dhe proserbe.

Kështu të paktën kanë paralajmëruar tifozët e Slovan Bratislavës, të njohur edhe më herët si proserbë.

Mediat serbe, të hënën, kanë shkruar për këtë ndeshje dhe sipas tyre, tifozët sllovakë kanë thënë se do të bëjnë Feronikelin “të ndihet sikur po luan në Serbi”, kur të paraqitet në stadiumin “New Slovakia” me kapacitet prej 22.500 ulëseve për ndeshjen e parë të raundit të dytë kualifikues të Ligës së Evropës.