​“Rexhep Rexhepi” së shpejti do të marrë pamje tjetër. Stadiumi i ri i Feronikelit do të ketë kapacitetin e 12 mijë ulëseve.

Një ndër ekipet më të organizuar viteve të fundit në Kosovës, Feronikeli, së shpejti do të bëhet me stadium modern.

Feronikeli, që është shndërruar për pak vite në një ndër klubet më të mëdha në vendin tonë, ka nisur renovimin e stadiumit, “Rexhep Rexhepi”.

Sipas një njoftimi të klubit në faqen zyrtare, tashmë “tribuna perëndimore është mbuluar, por ende nuk janë vendosur ulëset në të gjithë hapësirën”.

Feronikeli shkruan se “pak ditë më parë, kompania që ka marrë përsipër punimet e këtij stadiumi, ka nisur të pastrojë zonën për të ndërtuar tribunat e reja pas portave dhe në pjesën lindore”.

Nënkryetari i Feronikelit, Agim Kastrati, ka deklaruar se kapaciteti i stadiumit do të ketë 10 mijë deri në 12 mijë ulëse.

“Punimet kanë nisur vjeshtë dhe do të zgjasin deri në tri vjet. Shpresojmë që në fund të vitit 2021 të kompletojmë stadiumin. Feronikeli do të vazhdojë të luajë në “Rexhep Rexhepi” sepse fusha nuk do të preket”, deklaroi Kastrati.
Feronikeli është duke shkuar sigurt drejt titullit të kampionit në Ipko Superligën e Kosovës.

Pas 20 xhirove, Nikli gjendet në pozitën e parë me 48 pikë, pesë më shumë se rivali direkt për titull, Prishtina, me të cilën skuadër do të përballet këtë të mërkurë.