Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Ferat Shala, ka rikujtuar reformën e madhe që ishte nisur në Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP) gjatë kohës sa Kadri Veseli udhëhiqte me Kuvendin e Kosovës, reformë e cila, sipas tij, u ndal menjëherë pas ardhjes në pushtet të Albin Kurtit.

Përmes një deklarimi në Vox, Shala ka qenë i ashpër ndaj uzurpimit të pronave shtetërore, duke kërkuar largimin e menjëhershëm të uzurpatorëve.

“Sa më shpejt të largohen nga pronat e uzurpuara. Se s’janë tyret, as me ligje të njeriut, as me ligje të Zotit”, ka deklaruar Shala.

Ai ka theksuar se gjatë periudhës kur Kadri Veseli ishte kryetar i Kuvendit, ishte nisur një reformë e thellë në AKP, me qëllim kthimin e ligjshmërisë, mbrojtjen e pronës publike dhe dhënien fund të uzurpimeve shumëvjeçare.

Sipas Shalës, kjo reformë synonte rregullimin përfundimtar të statusit të pronave shoqërore dhe shtetërore, si dhe vendosjen e rendit dhe drejtësisë ekonomike, por u bllokua politikisht pas ndërrimit të pushtetit.

“Fatkeqësisht, me ardhjen e Albin Kurtit në pushtet, kjo reformë u ndal, duke i lënë pronat publike në mëshirë të uzurpatorëve dhe duke dëmtuar interesin e shtetit”, ka theksuar ai.

Shala ka kërkuar që çështja e pronave të AKP-së të trajtohet me prioritet institucional, duke paralajmëruar se mosveprimi në këtë drejtim po i shkakton dëme të mëdha buxhetit të shtetit dhe zhvillimit ekonomik të vendit.

Deklarata e tij vjen në kuadër të debatit të vazhdueshëm politik rreth menaxhimit të pronës publike dhe rolit të AKP-së, një nga institucionet më të ndjeshme në proceset ekonomike të Kosovës.